Thirrje nga qytetarët serb për bojkot të bizneseve shqiptare në veri 26.08.2024

Vazhdojnë thirrjet për bojkot ndaj bizneseve shqiptare në veri: Ata që afrohen do të fotografohen dhe do të sanksionohen

Thirrjet për bojkot ndaj bizneseve me pronarë shqiptarë në veri po vazhdojnë ende.

Në një grup në gjuhën serbe në rrjetin social “Telegram” sot gjatë ditës pati disa postime me rastin e hapjes së marketit “Meridian” në afërsi të sheshit “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut.

KALLXO.com ishte në vendin e ngjarjes kur marketi “Meridian” u hap sot më 26.08.2024 në këtë zonë.

Hapja e marketit “Meridian” në veri 26.08.2024 – Foto: Shkodrane Dakaj/ KALLXO.com

Madje, në një nga këto postime është thënë se nëse qytetarët i afrohen këtij marketi do të fotografohen dhe do të “sanksionohen ashpër”.

“Edhe një herë i lusim njerëzit tanë të mos i afrohen Meridianit! Të gjithë ata që afrohen do të fotografohen dhe do të sanksionohen ashpër! Duhet unitet!” – është mesazhi i plotë.

Thirrje nga qytetarët serb për bojkot të bizneseve shqiptare në veri
26.08.2024

KALLXO.com para disa ditëve raportoi edhe për disa video që qarkullonin në këto grupe e ky bëhej thirrje për t’i bojkotuar bizneset me pronarë shqiptarë që janë hapur gjatë muajve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.

“Bojkot Missini, C’est la vie, Meridian Market, Apoteka, Hebs, Ex Fix” – është thirrja që po shpërndahet.

Një thirrje e tillë iu është drejtuar qytetarëve serbë, teksa në video-mesazh pati edhe pretendime të tjera.

Poashtu KALLXO.com realizoi një reportazh për hapjen e bizneseve shqiptare në Mitrovicë të Veriut ku pronarët kanë treguar se pse kanë vendosur të operojnë në këtë anë.

E në lidhje me këto thirrje pronarët e intervistuar nga KALLXO.com nuk ishin fare në dijeni megjithëse asnjëri nga ta nuk beson në realizimin e këtij bojkoti.

“Nuk jemi në dijeni që e kanë bo në këtë fushatë por ne jemi ta hapur, dyer hapur jemi për të gjitha komunitetet kështu që do e provojmë edhe me i prit këtë pjesë të veriut”- tha tutje pronari i “Missini Sweets”, Astrit Misini.

Në telegram nisin fushata që kërkojnë bojkotin e bizneseve me pronarë shqiptarë në veri