Ilustrim

Vazhdojnë të shtënat me armë në ahengje, katër raste të raportuara në një ditë në Kosovë

Katër gjuajtje me armë gjatë ahengjeve familjare janë raportuar në Policinë e Kosovës më 04.08.2024.

Nga këto katër raste, Policia ka arritur të arrestojë tre të dyshuar, ka sekuestruar tri armë zjarri e ka konfiskuar dy të tjera.

Dy prej të arrestuarve janë liruar në procedurë të rregullt, e një tjetër është dërguar në mbajtje.

Në lagjen Emshir të Prishtinës, rreth orës 17:22 Policia ka arrestuar të dyshuarin e njërit rast dhe i ka sekuestruar një revole me gaz.  I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ndërsa, rasti tjetër ka ndodhur në Godanc të Epërm të Shtimes, rreth orës 21:43.

“Njësia policore i është përgjigjur një informate për të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar. Gjatë kontrollimit të lokacionit në rrugë është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gas. Rasti në hetime” – thuhet në raportin policor.

Në Klinë, arrestimi ka ndodhur 30 minuta pas mesnatës, pasi që i dyshuari është parë përmes video-incizimeve duke shtënë me armë gjatë ahengut.

“Në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja ndërsa nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me gaz. Pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt” – thotë raporti.

Rasti tjetër është raportuar në Firzë të Gjakovës, rreth orës 11:00. I dyshuari është arrestuar e më pas liruar në procedurë të rregullt.

Në vendin e ngjarjes, Policia thotë se ka konfiskuar një armë zjarri shkorpion, me dy karikatorë dhe 7 fishekë, një armë zjarri Ekol me një karikator dhe dy fishekë dhe 15 gëzhoja.