Haxhi Shala - Foto: Facebook

Vazhdojnë reagimet për emërimin e djalit të deputetit Haxhi Shala si konsull në Çeki

Emërimi i djalit të deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, Flakron Shala, si konsull i përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë ka nxitur reagime në Kosovë edhe të mërkurën.

Pjësë e reagimeve janë bërë edhe përfaqësues të partive politike opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se Qeveria po dështon të përfaqësojë interesat e qytetarëve brenda Kosoves, dhe Kosovën në nivelin ndërkombëtar.

“Ka kohë që Kosova ka mbetë pa zërin e saj diplomatik në qendrat kryesore vendimmarrëse:  Uashington, Londër Belgjikë ,Tokio. Kjo mungesë e prezencës shtetërore të Kosovës tregon mos-koordinimin dhe pa përgjegjësi të qeverisë për të mbrojtur interesin shtetëror përpara atij partiak, në kohën kur shteti ynë ka nevojë më shumë se kurrë të mbroj  të vërtetën dhe sakrifcën e këtij populli”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas deputetes, emërimet e  bazuara në pazare politike nuk sigurojnë përfaqësimin për të cilin ka nevojë Kosova.

Ndërkaq, Kreshnik Ahmeti nga LVV-ja ka ironizuar me këtë emërim.

Ai përmes një publikimi në Facebook, ka treguar rrugët që sipas tij duhet ndjekur ligjërisht për tu bërë diplomat.

“Rruga ligjore: 1. Testim dhe intervistim në konkursin e jashtëm për t’u pranuar në MPJD 2. Nëse hapi i parë është i suksesshëm: minimalisht një vit punë në departamentet e MPJD-së dhe shkollim në Akademinë Diplomatike 3. Pas një viti pune fitohet e drejta për të kandiduar për gradën e parë (më të ulët) diplomatike 4. Nëse Drejtori i Përgjithshem e bën propozimin dhe Komisioni për Grada dhe Diciplinë e miraton kandidimin e pastaj Ministri/ja e nënshkruan rekomandimin e Komisionit, fitohet grada e parë (më e ulët) diplomatike 5. Nëse hapi i katërt është i suksesshëm: krijohet mundësia për të kandiduar në konkursin e brendshëm të rotacionit, kur të jetë koha e rotacionit 6. Nëse në garën e konkursit të brendshëm, pas vlerësimit të gradës, aftësive dhe vlerësimeve të eprorit, “mposhtë” në garë kandidatët e tjerë për pozitat e njëjta diplomatike, fitohet pozita për të shkuar në mision 6. Pas konkursit të suksesshëm, duhet të kalohen testet e sigurisë dhe pastaj diplomati niset në mision”, thuhet në publikimin e tij.

Ahmeti tutje ka treguar “rrugën e djalit të Haxhi Shalës për t’u bërë diplomat.

“1. E blen biletën e aeroplanit dhe niset për në mision diplomatik, si shef i misionit diplomatik pa kandiduar asnjëherë e pa punuar asnjë sekond në MPJD”, ka shkruar ai.

Vota e deputetit Haxhi Shala ka qenë vendimtare për formimin e qeverisë Hoti. Por për këtë votë, kishte ndikuar një vizitë që ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishin bërë në shtëpinë e Shalës. Këtë e kishte treguar vetë në Kuvend deputeti Shala.

‘Vota e artë’, Haxhi Shala thotë se Thaçi dhe Haradinaj i shkuan së bashku në shtëpi pas mesnatës