Pallati i Drejtësisë/ Foto-Urim Krasniqi

Vazhdojnë protestat në Pallatin e Drejtësisë për kushtet e punës në objekt

Protestës së punëtorëve të Prokurorisë së Prishtinës sot pritet t’u bashkangjitet edhe Gjykata Themelore e Prishtinës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i sindikatës së kësaj gjykate, Naim Rrustemi.

Sipas Rrustemit, punëtorët e gjykatës si ata të administratës ashtu edhe gjyqtarët po përballen me probleme të ajrosjes, mungesës së ujit dhe klimatizimit.

Ditën e djeshme punëtorët e Prokurorisë së Prishtinës mbajtën protestë dy-orëshe para objektit.

Përveç zyrtarëve të administrates, protestës iu bashkangjitën edhe prokurorët e kësaj prokurorie.

Sipas kryetarit të Këshillit Organizativ, Burim Neziri protesta është organizuar për shkak të kushteve të këqija që ofron ky objekt.

“Kemi çdo ditë nga një punëtor të alivanosur , kështu që ne kemi vendosur me hy në një protestë dy-orëshe fillimisht e mandej ndodhë që edhe zgjatë, kalohet edhe në greva”- tha Neziri.

Tutje sipas Nezirit punëtorët e prokurorisë po përballen me temperatura të larta që arrijnë deri në 35 gradë për shkak të mosfunksionimit të klimatizimit.

Përveç kësaj si shkak për alivanosjen e punëtorve të prokurorisë sipas Nezirit është edhe mungesa e ajrit për të cilën kanë bërë kërkesa për hapjen e dritareve në objekt.

“Kërkesat janë proceduar disa herë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme por i kanë anuluar tenderat për hapjen e dritareve“- tha Neziri.

Kujtojmë se brenda 10 ditëve 3 punëtorë u alivanosën brenda objektit të Prokurorisë së Prishtinës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.