Ilustrim

Vazhdojnë protestat në Indi, kryeministri bën thirrje për qetësi

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, bëri thirrje për qetësi, derisa protestat e dhunshme kundër një ligji të ri për migrantët e paligjshëm hynë në ditën e pestë.

Protesta masive po zhvillohen në kryeqytetin Nju Delhi, si dhe në Mumbai, Hajderabad dhe Kolkata.

Ligji i ri u jep të drejtën e shtetësisë disa migrantëve jomyslimanë nga tre vende me shumicë myslimane.

Njerëzit që protestojnë kanë qëndrime të ndara rreth ligjit.

Disa thonë se ai është anti-mysliman, ndërsa të tjerët – sidomos ata në rajonet kufitare – druajnë nga migrimet masive.

“Dua t’i siguroj qytetarët e Indisë se Akti i Amendamentit të Shtetësisë nuk e prek asnjë qytetar të asnjë feje. Anjë indian nuk ka përse të brengoset për këtë akt”, shkroi kryeministri Modi në Twitter.

“Ky akt është vetëm për ata që janë përballur me vite të persekutimit jashtë dhe nuk kanë vend tjetër për të shkuar, përveç Indisë. Është koha për të ruajtur paqen, unitetin dhe vëllazërimin”, shtoi ai.

Autoritetet kanë provuar t’i frenojnë protestat duke ndalur shërbimet e internetit, kështu që është e paqartë se sa njerëz në zonat e prekura e kanë parë postimin e kryeministrit.

Përleshjet midis protestuesve dhe policisë lanë të vdekur së paku gjashtë njerëz.

Pse ligji është përçarës?

Ligji lejon që jomyslimanët nga Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani, të cilët kanë hyrë në Indi në mënyrë të paligjshme, të bëhen shtetas.

Sipas qeverisë, ligji synon t’i strehojë ata që kanë ikur nga persekutimi fetar.

Kritikët thonë se ligji është pjesë e agjendës së qeverisë për të margjinalizuar myslimanët dhe se shkel parimet laike, të përcaktuara me kushtetutë.

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se ligji i ri është thelbësisht diskriminues në natyrë.

Qeveria mohon çdo paragjykim fetar dhe thotë se myslimanët nuk janë të përfshirë në ligjin e ri, sepse nuk janë pakicë fetare dhe nuk kanë nevojë për mbrojtjen e Indisë. /REL