Protestohet para Komunës së Klinës, kundërshtohet ndërtimi i fabrikës së çimentos

Vazhdojnë protestat e banorëve të Dollcit, kundërshtohet ndërtimi i fabrikës së çimentos

Banorët e fshatit Dollc të Klinës sot kanë protestuar përsëri për të kundërshtuar ndërtimin e një fabrike të çimentos në këtë fshat.

Enver Gashi, qytetar nga fshati Dollc thotë se ata janë grumbulluar pasi kanë parë kompaninë duke filluar punimet.

Sipas tij, sot në grumbullimin e banorëve ka ndërhyrë edhe Policia dhe Njësia Speciale.

Gashi gjithashtu ka deklaruar se të shtunën dhe të dielën do të protestohet për të kundërshtuar ndërtimin e kësaj fabrike.

“Sot jemi mbledhur pasi e kemi parë kompaninë që ka filluar me shpimet, aty kanë intervenuar policia e po ashtu edhe Njësia Speciale të cilët kanë deklaruar se kanë pasur urdhër nga prokurori i shtetit për arrestimin e banorëve. Sot nuk është arrestuar askush pasi ne banorët jemi marrë vesh me kompaninë që të mos fillojë punimet deri të hënën, kompania i ka parkuar mjetet. Ne do të protestojmë të shtunën dhe të dielën në 12:00. Tash po shkojmë të japim edhe deklaratat në polici për ngjarjen e sotme”, ka deklaruar Gashi.

Më 25 prill të këtij viti, KALLXO.com raportoi për kundërshtimet që qytetarët e komunës së Klinës po i bëjnë ndërtimit të një fabrike të çimentos që është planifikuar të ndërtohet në Dollc.

Në vitin 2020, qytetarët që u angazhuan për ta kundërshtuar këtë fabrikë duke mbledhur rreth 4 mijë e 700 nënshkrime në një peticion që kundërshtonte ndërtimin e kësaj fabrike.

Betejën kundër çimentores ata e vazhduan edhe në Kuvendin Komunal të Klinës. Atje gjetën përkrahje nga asamblistët të cilët nxorën vendime që shfuqizonin pëlqimet “që janë dhënë lidhur me guroret për furnizim me lëndë të parë për fabrikat e çimentos”. Por, vendimi i kuvendarëve që daton në mars të vitit 2020 doli të jetë i kundërligjshëm sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal.

E pas interpretimit që MAPL i kishte bërë vendimit të Kuvendit Komunal, të cilin e konsideroi në kundërshtim me ligjin dhe që ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të Klinës, ekzekutivi lokal kishte lëshuar lejen për ndërtimin e fabrikës në janar të këtij viti.

Lufta e banorëve të fshatrave të Klinës për ta stopuar ndërtimin e fabrikës së çimentos

Protestohet para Komunës së Klinës, kundërshtohet ndërtimi i fabrikës së çimentos