Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vazhdojnë polemikat mes kryesindikalistit dhe u.d. drejtorit për punësimet në RTK

Kryetari i Sindikatës së RTK-së, Fadil Hoxha, vazhdon të insistojë se menaxhmenti i ri i televizionit publik po mundohet ta fshehë planifikimin për punësimin e 98 personave të rinj në mediumin publik.

Sipas Hoxhës, ushtruesi i detyrës i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, po manipulon me shifra, duke përdorur, sipas tij, “metodologji të menaxhmenteve të kaluara”, kur ka deklaruar se nuk po parashihet rritje e numrit të të punësuarve por përkundrazi – zvogëlim i këtij numri.

Punësimi i 98 personave është paraparë në projeksionin buxhetor të RTK-së për vitin 2022.

Projeksion Buxheti i RTK-së për vitin 2022

Ditë më parë, Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se Radiotelevizioni i Kosovës nuk parashikon rritje të numrit të të punësuarve në vitin 2022, por përkundrazi një zvogëlim të konsiderueshëm.

“Në projeksionin buxhetor për këtë vit është paraparë një zvogëlim i stafit në kategorinë e të punësuarve me kontrata për shërbime me rreth 60 për qind. E shprehur në numra nga 239 në më pak se 100, apo rreth 140 të punësuar më pak. Këto lloj kontratash që janë vazhduar për disa vite nga menaxhmentet e kaluara, nuk do të aplikohen më pas datës 31 mars 2022”, tha ai në një përgjigje për KALLXO.com të enjten.

“Pozitat esenciale të punës në RTK që gjer tani janë kryer nga kjo kategori do të plotësohen me staf të rregullt, me konkurs publik, pas një analize të hollësishme të çdo pozitë ekzistuese, veç e veç”, shtoi ai.

Ndërsa, lidhur me deklaratat e djeshme të Fadil Hoxhës për “manipulim me shifra” nga Ahmetxhekaj dhe se po tenton “fshehjen e punësimit të 98 personave të tjerë në RTK”, u.d. drejtori i RTK-së e cilësuar “fushatë të çuditshme” atë që po e bën kreu i Sindikatës së RTK-së.

“Është e çuditshme gjithë kjo fushatë e z.Hoxha, i cili megjithatë ka pasur mundësi që dyshimet e tij t’i diskutoj paraprakisht me ne. Deri më tash nuk ka kërkuar asnjë sqarim nga ana jonë prandaj nuk kam çfarë të komentoj më shumë”, ka thënë ai sot në një përgjigje për KALLXO.com.

Ndërsa për planifikimin e punësimit të 98 punëtorëve të rinj në RTK, Ahmetxhekaj ka thënë se ka marrë vendim që kontratat për shërbime të mos vazhdohen më pas datës 31 mars, ndërsa për pozitat e domosdoshme, të hapen konkurse publike.

“Pra, RTK nuk do të vazhdoj më kontratat e 239 bashkëpunëtorëve, por do të hap konkurse publike. Në projeksion është paraparë numri prej 98 vetave, por numri real do të dihet pas analizës së detajuar për secilën pozitë dhe mund të jetë edhe më i ulët se projeksioni. Në këtë projeksion janë të përfshirë 40 pozita për RTK2 dhe 8 pozita për komunitetet e tjera”, ka thënë Ahmetxhekaj për KALLXO.com..

Ai ka thënë se bashkë me udhëheqësit e njësive ka filluar analiza e secilës njësi veç e veç, ku sipas tij, planifikohet ristrukturimi i të gjitha departamenteve dhe shfrytëzimi më efikas i stafit.

Në shkrimin e tij në ‘Facebook’, kryetari i Sindikatës së RTK, Fadil Hoxha, përmendi emra të analistëve si Artan Muhaxheri, Aida Dërguti, Ismail Tasholli, e të aktorëve si Fatmir Spahiu, Naser Rafuna, Astrit Kabashi dhe të regjisorit Ilir Bokshi, si kandidatë që mund t’u ndërpritet kontrata, pasi kanë qenë të angazhuar me kontratë mbi shërbime, e nga menaxhmenti të paraqiten si zvogëlim i numrit të të punësuarve në RTK e në anën tjetër të punësohen siç është planifikuar 98 të tjerë.

Lidhur me këto pretendime të Hoxhës, KALLXO.com ka kontaktuar analistët Artan Muhaxhiri dhe Aida Dërguti.

Ata thanë se në RTK kanë qenë të angazhuar vetëm në kohën e zgjedhjeve lokale, me kontratë mbi shërbime dhe se kontrata e tyre ka përfunduar më 31 dhjetor 2021.

Të dy, edhe Muhaxhiri dhe Dërguti, kanë thënë se nuk kanë kontratë aktive me RTK-në dhe askush nuk i ka njoftuar zyrtarisht nëse do të vazhdohen ato apo jo.

Analisti tjetër, të cilin Hoxha e përmend, Ismail Tasholli, nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Gjithashtu, KALLXO.com ka kontaktuar edhe aktorët Naser Rafuna dhe Astrit Kabashi.

Rafuna ka thënë se nuk ka marrë asnjë njoftim nga menaxhmenti i RTK.

“Unë nuk e di, menaxhmenti kurrfarë njoftimi nuk na ka jap, unë nuk mund të merrem çka thonë njerëzit. Kontratat e aktorëve dhe regjisorëve aty janë me kontratë mbi shërbime, po deri tash nuk kam marrë kurrfarë njoftimit”, ka thënë ai përmes telefonit.

Edhe aktori Astrit Kabashi ka thënë se nuk ka kontratë të rregullt me RTK-në.

Përmes telefonit Kabashi ka thënë se kontrata me shërbime që e ka pasur i ka skaduar dhe momentalisht nuk ka marrë asnjë njoftim.

“Nuk e di pse ka pasur nevojë me ma përmend emrin, përderisa kontrata ka skaduar. Nuk është e rregullt kjo. Njëherë për njëherë ne nuk kemi kontratë, ajo ka skaduar, hala kurrkush – kurrgjë nuk na ka thënë”, ka thënë Kabashi përmes telefonit.

Sipas të dhënave nga projeksioni buxhetor për vitin 2022 në RTK janë rreth 760 punëtorë.

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nga mediat vendore në lidhje me numrin e punëtorëve.

Dardan Belegu, drejtor i RTV Dukagjini, ka thënë për KALLXO.com se në këtë media punojnë 146 persona.

Ndërsa, Eugen Saraqini nga Media 21 ka thënë se kanë 186 punëtorë.

“Në kuadër te Media 21, operojnë 6 kanale televizive, web faqe, portal”, theksoi ai për KALLXO.com.

Ndërkaq sipas një publikimi të vitit të kaluar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, Grupi Koha ka 253 të punësuar.

Sipas të dhënave nga ARBK, Klan Kosova ka 190 punëtorë ndërsa Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, (BIRN) ka rreth 70 të punësuar.