Vazhdojnë 'përplasjet' për Palestrën multisportive në Prishtinë - Çeku-Ramës: Kryetar, mos gënje!

Projekti për Palestrën multisportive në Prishtinë, është bërë “mollë sherri” mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Hajrulla Çekut dhe kryetarit të kësaj Komune, Përparim Ramës.

Pas deklaratave të kryetarit Rama, se “faji për vonesat e realizimit të projektit, bie mbi bllokimin e qëllimshëm të VV-së”,  ministri Çeku i është kundërpërgjigjur të parit të Prishtinës, duke i thënë që “të mos të gënjejë”, pasi që sipas tij Komuna nuk e ka mbajtur zotimin e saj për realiziamin e këtij projekti. 

Sipas Çekut, lokacioni i dakorduar nga Komuna e Prishtinës dhe nga Federata e Basketbollit të Kosovës për ndërtimin e kësaj Palestre gjendet në Hajvali, pranë Qendrës Nacionale të Futbollit dhe se kjo nuk ka të bëjë me lokacionin ku Komuna dëshiron ta realizojë projektin e kampusit sportiv në Bërnicë, përkatësisht në Fshatin Olimpik.

Ministri ka shkruar se gjatë gjithë vitit 2024 Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta kryer zotimin e saj: plotësimin e kërkesës së FBK-së. 

“Gjatë tërë vitit 2024 Komuna e Prishtinës nuk ndërmori asnjë hap për ta konkretizuar zotimin tuaj dhe plotësuar kërkesën e FBK-së. Me gënjeshtra nuk ecet përpara. Nëse jeni serioz, dërgojeni Vendimin në Kuvendin e Komunës për lokacionin që jeni dakorduar me FBK-në, duke mundësuar kështu realizimin e plotë të projektit nga MKRS.” – ka shkruar Çeku, të hënën, më 06.01.2025. 

Ministri i Kulturës i është kundërpërgjigjur Ramës,i cili më 04.01.2025, deklaroi se kanë qenë asambleistët e LVV-së që katër herë e kanë refuzuar lokacionin dhe planin për Palestër. 

Për këtë ministri Çeku ka shkruar se nga grupi i Lëvizjes Vetëvendosje i kanë thënë se do të votojnë “për”, andaj i ka bërë thirrje kryetarit Rama që Vendimin për lokacionin e Palestrës ta dërgojë në Kuvendin e Komunës për ta votuar.

“PS. Nga grupi i VV më thanë që do të votojnë PËR. Dërgoje!” – është shprehur Çeku. 

KALLXO.com të shtunën, më 04.01.2025, raportoi se Projekti i Palestrës multisportive në Kryeqytet u bë shkas i përplasjes mes të parit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Projekti i palestrës multisportive në Kryeqytet përplas të parin e Prishtinës dhe ministrin e Kulturës

Të premten, më 03.01.2025, ministri Çeku përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka akuzuar Komunën e Prishtinës se ka një vit që ka neglizhuar ndajen e lokacionit për projektin e Palestrës multisportive në Prishtinë, për ndërtimin e së cilës thotë se është ndarë një buxhet prej 3.5 milionë euro. “Ky është vetëm njëri nga projektet që jemi zotuar për të investuar në infrastrukturën sportive të Kryeqytetit, por kemi hasur në neglizhencë totale të Komunës së Prishtinës. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ajo çfarë kemi dëgjuar përditë nga ta është kinse Qeveria po i pengon apo nuk po investon në Prishtinë.” – ka shkruar Çeku, më 03.01.2025.

Ndërsa kryetari Rama i është kundërpërgjigjur ministrit Çeku duke thënë se kanë qenë asambleistët e LVV-së që katër herë e kanë refuzuar lokacionin dhe planin për Palestër.

“Lokacioni dhe plani për Palestrën janë refuzuar katër herë nga asambleistët e Vetëvendosjes. Në seancën e fundit, më 04.12.2024, kjo bllokadë u shoqërua me shkatërrim të pronës publike dhe ndërhyrje të Policisë! Komuna e Prishtinës ka planifikuar ndërtimin e Palestrës si pjesë të një kampusi sportiv në Bërnicë, me projekte të plota urbanistike dhe përpjekje të vazhdueshme për miratim. Përhapja e propagandës dhe mungesa e bashkëpunimit politik po dëmtojnë Prishtinën dhe qytetarët e saj. Faji për vonesat bie mbi bllokimin e qëllimshëm nga Vetëvendosje dhe jo mbi Komunën.” – ka shkruar Rama, më 04.01.2025, në Facebook.

Tutje, Rama është shprehur se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë të punojë për të realizuar projektet e rëndësishme politike, duke thënë se “qytetarët e Prishtinës meritojnë zhvillim dhe jo propagandë politike”.