Foto: Atdhe Mulla

Vazhdojnë operacionet e kërkim shpëtimit në Thumanë

Zona e Thumanës, është prekur shumë nga tërmeti i cili ndodhi mëngjesin e djeshëm në Shqipëri.

Edhe në këtë zonë si atë në Durrës ende po vazhdohet operacioni për kërkim shpëtim për nxjerrjen e personave të cilët janë zënë nga shembja e ndërtesave pas tërmetit të djeshëm.

Kështu ka njoftuar edhe policia e Shtetit e cila ka thënë se operacionet nuk kanë ndaluar dhe se ende po kërkohet për persona që dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja.

“Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, për gjetjen dhe nxjerrjen e personave që kanë mbetur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit.

Operacionet nga Renea, FNSH, forcat e ushtrisë, zjarrëfikësit, emergjencat civile dhe ekipet e shpëtimit të ardhura nga gjithë rajoni.

Ndërkohë, punonjësit e FNSH-së dhe të Policisë së Krujës janë të angazhuar në ndihmë të ekipeve të emergjencave, në qendrën ku janë ngritur çadrat”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Deri më tani në Thumanë ka arritur numri i viktimave në 15 ndërsa në Durrës 12.