Ilustrim
Vazhdojnë kontrollet e MINT në veri për veprimtarinë e pompave të derivateve
15 pompa të derivateve janë kontrolluar nga Insektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në katër komunat me shumicë serbe në veri, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
Kontrollet janë kryer me asistencën e Policisë së Kosovës atje për të verifikuar licencimin e pompave të derivateve.
KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë në veri të vendit, Veton Elshanin, i cili tha se nuk ka pasur ndonjë mbyllje të ndonjë pompe të derivateve por shpjegoi se qëllimi ka qenë për të identifikuar nëse këto pompa veprojnë me licenca dhe në mënyrë të rregullt në Kosovë.
“MINT kanë kërkuar asistencë të policisë për me i shiku të gjitha pompat në veri a kanë licenca apo nuk kanë. Ne u kemi ofru asistencë gjatë kontrollave në katër komunat, Zvecan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë Veriore”- tha Elshani më 29.07.2024 për aksionin nëpër pomta të derivateve.
Ai tregoi edhe për numrin e pompave të derivateve që u kontrolluan.
“Janë kontrolluar tri pompa në Zubin Potok, një në Mitrovicë të Veriut, 4 në Zveçan dhe 7 në Leposaviq”- shtoi Elshani.
Ditë më parë, më 22.07.2024, Inspektoriati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka mbyllur përkohësisht dy pompa të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq, për shkak të operimit pa leje.
Në njoftimin e MINT bëhet e ditur se këto dy pompa po shisnin pa leje derivate të naftës me pakicë.
“Ky aksion është realizuar me sukses nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës , Doganën e Kosovës , Administratën Tatimore të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit” – thuhej në njoftimin e MINT më 22.07.2024.