Vazhdojnë gërmimet në varrezën masive në Kizhevak

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se janë duke vazhduar në Kizhevak të Rashkës, Serbi, gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, të rifilluara më 5 maj.

“Gjatë këtyre ditëve, me qëllim të krijimit të mundësive për të vazhduar me zhvarrosjen e eshtrave, mbetjeve mortore, të viktimave të luftës, është bërë dekonservimi i terrenit për të filluar me gërmimet vlerësuese, përfshirë edhe largimin e dheut dhe gurëve të hedhur në këtë lokacion të varrezës masive gjatë vitit 1999 dhe vitet e para të pasluftës”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas njoftimit gërmimet do të vazhdojnë në këtë lokacion edhe javët në vijim, deri në vlerësimin e plotë të tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe zhvarrosjes së të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që mund të jenë në këtë lokacion.

“Pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe institucioneve të Serbisë”, thuhet tutje aty.

Po ashtu në njoftim është bërë e ditur që ekspertët mjekoligjorë nga Kosova do të jenë aty deri në përfundimin e procesit.

“Në veçanti pas konfirmimit edhe përmes analizës së ADN-së se mbetjet mortore të zhvarrosura në fund të vitit të kaluar iu përkasin viktimave të masakrës së Rrezallës”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të​ tyre dhe vendosjen e drejtësisë.