Vazhdohet masa e sigurisë për disa të akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Tre të akuzuarve në rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, i është vazhduar masa e paraqitjes në stacion policor.

Avokati Musa Damati ka konfirmuar se Departamenti Special i Gjykatës në Prishtinë ka vazhduar masën e paraqitjes së detyrueshme në polici edhe për dy muaj të Dragisha Markoviqit, Silvana Arsoviqit dhe të Zharko Jovanoviqit.

Këta akuzohen se ju kanë ndihmuar autorëve me veprimet e tyre në kryerje të vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviqit.

Sipas avokatit, Prokuroria në rastin e Silvana Arsoviq kishte kërkuar masën e arrestit shtëpiak, kërkesë kjo e refuzuar nga Gjykata.

“Klientja ime Silvana Arsoviq, me rolin e saj si asistente e partisë, dyshohet se permes kamerave ka ofruar ndihme në veprën penale, dhe në këtë fazë të procedurës penale konsideroj se është sukses i mbrojtjes qe masat tjera të propozuara nga Prokuroria Speciale e Kosovës janë refuzuar për klienten time dhe se gjykata ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes duke e vazhduar vetem masën për paraqitje në polici ndaj klientes time”, tha ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në krye me kryeprokurorin Blerim Isufaj, po akuzon Marko Roshiqin, Nedelko Spasojeviqin, Dragisha Markoviqin, Zharko Jovanoviqin, Silvana Arsoviqin dhe Radeta Basaran se duke vepruar si grup i organizuar kriminal nën udhëheqje të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojçiqit, me veprimet e tyre inkriminuese kanë gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili u vra më 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës.

Vrasja e Ivanoviqit ishte kryer nga një veturë me xhama të mbështjellë me të zeza, veturë kjo e gjetur e djegur pas disa minutash në rrugën “Vojvoda Putnika”, rreth 1.500 metra larg vendit të vrasjes.

I pandehuri Nedelko Spasojeviq dyshohet se ditën kur është vrarë Oliver Ivanoviq u ka liruar dhe siguruar rrugëtimin të dyshuarve, në këtë rast ekzekutuesve për aktin e vrasjes.

I pandehuri Nedelko Spasojeviq sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, së bashku me dy policët e parë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, nuk kishin kryer detyrat policore por kishin lëvizur me veturë zyrtare dhe në këmbë ani pse kishin hasur në persona të paautorizuar duke fotografuar dhe dëmtuar provat në vendin e ngjarjes në vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës, Nedelko Spasojeviqit gjatë bastisjes në shtëpinë e tij  i janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë e tipit Kallashnikov, një karikator si dhe 106 fishekë, një granatë dore, shufër gome, një tytë tromblloni për Kallashnikov, një jelek ushtarak të cilat po i mbante pa leje.

I pandehuri i dytë, Marko Roshiq, dyshohet se në bashkëpunim të ngushtë me Nedelko Spasojeviq, Rade Basaran, Millan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe Zhelko Bojiq (këta tre të fundit gjenden në arrati), kanë ndihmuar vrasjen, duke e përcjellë Oliver Ivanoviqin, para vrasjes ndërsa pas vrasjes në xhepin e Oliver Ivanoviqit siç ka përshkruar Prokuroria është gjetur një copë letre me targa të një veture, e cila veturë më pas kishte përcjellë edhe vëllanë e Ivanoviqit, e cila më pas ishte konstatuar se është vetura e Milan Radojiçiqit.

Rade Basara është një i akuzuar tjetër nga Prokuroria Speciale, i cili dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij i cili kishte fshehur provat dhe dëshmitë, gjithashtu kishte marrë urdhra nga grupi kriminal që të fshehë edhe gjurmët e krimit në mënyrë që të mos zbardhet rasti.

Silvana Arsoviq, ish- administratore në zyrën e ish politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, dyshohet se kishte qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyrat e SDP-së kanë qenë të ndaluara në mënyrë të dhunshme pasi që janë shkyqur nga rryma, duke bërë të lehtë që vrasja e Oliver Ivanoviqit të mos xhirohet dhe menjëherë pas vrasjes të njëjtën ditë rreth orës 8:16 minuta të mëngjesit e njëjta kishte aktivizuar kamerat.

Dragisha Markoviq është i akuzuari i pestë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ku Prokuroria Speciale e përshkruan se i njëjti pas vrasjes kishte dhënë informacione te një zyrtar tjetër policor në Serbi.

Sipas aktakuzës, Markoviq së bashku me Zharko Jovanoviqin kishin lejuar edhe që në vendin e ngjarjes të inkuadrohen edhe persona të tjerë që të ndërhyjnë dhe të dëmtojnë provat e vrasjes së Ivanoviqit. Madje në aktakuzë përshkruhet edhe se Dragisha Markoviq deri sa ishte në vendin e ngjarjes me Zharko Jovanoviqin, ia kishte bërë me dorë këtij të fundit në drejtim të një gëzhoje të cilën Jovanoviq e merr dhe e fut në xhep në mënyrë që të zhdukë provat nga vendi i ngjarjes.

Të akuzuarit në seancën e shqyrtimit fillestar u deklaruan të pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga kryeprokurori Blerim Isufaj më 11.2.2020.