Vazhdohet edhe për një vit udhëzimi administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar projekt-udhëzimin administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ nr.03/2016 për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Sipas komunikatës së Qeverisë, qëllimi i këtij udhëzimi administrativ është ndryshimi i nenit 9 të udhëzimit administrativ bazik nr.03/2016 për stimulimin e regjistrimit të pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, në regjistrat publikë, si masë afirmative, që promovon barazinë gjinore.

Qeveria ka vendosur që udhëzimit administrativ nr.03/2016 do t’i vazhdohet afati i zbatimit edhe për vitin 2021.