Varroset në 10 të mbrëmjes viktima e coronavirus në Malishevë

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka njoftuar që viktima e parë nga coronavirusi në Malishevë është varrosur dje në orën 22:00.

Viktima e parë nga Malishevë është një grua 66 vjeçare.

“Është rast i dhimbshëm rasti i parë i vdekje mbrëm, dhashtë Zoti mos të ketë më raste të tjera dhe besoj se kudo që ndodhin fatkeqësi do të jemi bashkë. Mbrëmë në orën 22:00 e kemi varrosë zonjën e ndjerë”, ka thënë Begaj.

Malisheva është komuna me më së shumti të prekur nga coronavirusi, gjithsej 66.

Begaj i bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të mos rritet numri i personave të prekur coronavirus.

“I lus qytetarët që të dëgjojnë, të mbyllen edhe pak ditë ashtu siç kërkohet”, ka theksuar Begaj.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi e kanë vituar komunën e Malishevës.

Kurti ka thënë që në mënyrë që të mos ketë më shumë të infektuar në Malishevë do t’i shtojnë masat e kufizimit.

“Por tash kemi nevojë në një komunë si Malisheva, që është goditur më së shumti, ta ndihmojmë më shumë por edhe t’i kemi masat më rigoroze të izolimit, vetizolimit në mënyrë që në muajin prill të mos kemi ngritje të lakores së shpërndarjes që do të na bënte pjesë të këtyre vendeve të tjera të Europës dhe botës që kanë pësuar rëndë”, ka thënë Kurti në Malishevë.

Dje, në mbledhjen e 24 të Qeverisë së Kosovës, është autorizuar Ministria e Shëndetësisë që në bashkëpunim me komunat t’i përcaktojnë masat që do t’i ndërmarrin në parandalimin e shpërndarjes së coronavirusit.

Masat aktuale të marra nga Qeveria e Kosovës janë në fuqi deri në 12 prill. Kjo pas Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve është jo kushtetues.

Që nga 13 marsi, kur është shënuar personi i parë i prekur me coronavirus, e deri më sot, janë regjistruar 224 të prekur, 37 të shëruar dhe 6 të vdekur.