Ilustrim

Varrezat masive ekspozojnë “makinerinë e vdekjes” të Assadit, thotë një prokuror i lartë

Një prokuror ndërkombëtar për krimet e luftës ka theksuar se provat që dalin nga varrezat masive në Siri kanë ekspozuar një “makineri vdekjeje” të drejtuar nga shteti nën udhëheqjen e liderit të rrëzuar, Bashar al-Assad. Më shumë se 100 mijë njerëz u torturuan dhe u vranë që nga viti 2013, ka raportuar Reuters më 18.12.2024.

Duke folur pas vizitës në dy vende të varrezave masive në qytetet Qutayfah dhe Najha pranë Damaskut, ish-ambasadori amerikan për krimet e luftës, Stephen Rapp deklaroi për Reutersin: “Ne sigurisht kemi më shumë se 100 mijë njerëz që u zhdukën dhe u torturuan për vdekje në këtë makineri vdekjeje. Unë nuk kam shumë dyshime për ato lloj numrash duke pasur parasysh atë që kemi parë në këto varre masive”.

Si në kohën e nazizmit

“Ne me të vërtetë nuk kemi parë diçka të tillë që nga nazistët”, ka thënë Rapp, i cili drejtoi ndjekjet penale në gjykatat e krimeve të luftës në Ruandë dhe Sierra Leone dhe po punon me shoqërinë civile siriane për të dokumentuar provat e krimeve të luftës dhe po ndihmon për t’u përgatitur për gjykimet eventuale.

“Nga policia sekrete që zhduku njerëzit nga rrugët dhe shtëpitë e tyre, prej të burgosurve që i lanë të vdisnin nga uria dhe i torturuan deri në vdekje, deri tek shoferët e kamionëve dhe shoferët e buldozerëve që fshihnin trupat e tyre, mijëra njerëz punonin në këtë sistem të vrasjeve.”, ka theksuar Rapp. “Po flasim për një sistem terrori shtetëror, i cili u shndërrua në një makineri vdekjeje”.

Qindra mijëra sirianë vlerësohet të jenë vrarë që nga viti 2011, kur shtypja e protestave nga ana e Asadit u shndërrua në luftë në shkallë të gjerë.

Si Assadi ashtu edhe babai i tij Hafez, i cili i parapriu si president dhe vdiq në vitin 2000, janë akuzuar prej kohësh nga grupet e të drejtave dhe qeveritë për vrasje të përhapura jashtëgjyqësore, duke përfshirë ekzekutime masive brenda sistemit të burgjeve të vendit dhe përdorimin e armëve kimike kundër popullit sirian.

Assadi, i cili iku në Moskë, e kishte mohuar vazhdimisht se qeveria e tij kishte kryer shkelje të të drejtave të njeriut dhe i kishte cilësuar kritikuesit e tij si ekstremistë.

Kreu i organizatës siriane të avokimit me bazë në SHBA, Task Forca Siriane e Emergjencave, Mouaz Moustafa, i cili gjithashtu vizitoi Qutayfah, 40 kilometra në veri të Damaskut, ka vlerësuar se të paktën 100 mijë trupa janë varrosur vetëm atje. 

“Vendi i tmerreve”

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Hagë njoftoi ndaras se kishte marrë të dhëna që tregojnë se mund të ketë deri në 66 varreza masive ende të paverifikuara në Siri. Më shumë se 157 mijë njerëz janë raportuar të zhdukur në komision.

Kryetarja e Komisionit, Kathryne Bomberger, ka deklaruar për Reuters se raportimi i të zhdukurve tani po “shpërthente” me kontakte të reja nga familjet.

Për krahasim, rreth 40 mijë persona u zhdukën gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990.

Për familjet, kërkimi i së vërtetës në Siri mund të jetë i gjatë dhe i vështirë. Një përputhje e ADN-së do të kërkojë të paktën tre të afërm që të ofrojnë mostra referencë të ADN-së dhe të marrin një mostër të ADN-së nga secila prej këtyre mbetjeve skeletore të gjetura në varre, njoftoi Bomberger.

Komisioni bëri thirrje që vendet e varrezave masive të mbrohen në mënyrë që të ruhen provat për gjykimet e mundshme, por vendet e varrezave masive ishin lehtësisht të arritshme të martën.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com