Varianti Delta prezent në Shqipëri, konfirmohen në Gjermani analizat e të infektuarve

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka konfirmuar se variant i ri i COVID-19, Delta, është regjistruar në Shqipëri.

Siç raporton Top Channel, konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, vjen nga Laboratori i Referencës në Berlin.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se, në vijim të procesit të monitorimit të situatës së Pandemisë COVID-19 nga Instituti i Shëndetit Publik, pjesë e së cilës është dhe monitorimi për variantet qarkulluese, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2”, thuhet në njoftim.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në Indi në tetorin e vitit 2020, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është futur në grupin e varianteve shqetësuese të sëmundjes COVID-19. Aty bëjnë pjesë edhe varianti Alfa (i identifikuar fillimisht në Britani të Madhe), Beta ( i identifikuar fillimisht në Afrikë të Jugut) dhe Gama (i identifikuar fillimisht në Brazil).

Varianti Delta tashmë është përhapur në shumicën e shteteve në botë dhe OBSH-ja ka thënë se Delta po bëhet varianti dominues i koronavirusit në mbarë botën.

Në dallim nga varianti fillestar i koronavirusit, që karakterizohet me simptoma si temperaturë, dhembje muskujsh, probleme me frymëmarrje, humbje të shijes apo nuhatjes, personat që po preken nga varianti Delta, sipas ekspertëve, po përjetojnë kryesisht këto simptoma: dhembje të kokës e fytit dhe rrjedhje nga hunda.

Këto simptoma, sipas ekspertëve, janë shumë të ngjashme me ato të gripit sezonal, prandaj rritet edhe rreziku që shumë të infektuar të mos izolohen dhe të përhapin edhe më tej sëmundjen.

Ndërkohë një studim i fundit ka treguar se: Dy doza Pfizer apo AstraZeneca, janë efikase kundër Deltës.