Foto: KALLXO.com

Variantet e reja të COVID-19, së shpejti do të testohen edhe në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, tek tani është afër përmbylljes së tenderit për furnizim me mjete për testim në kohë reale për detektimin e varianteve të reja alfa, beta dhe delta të coronavirusit, ndonëse, ka shumë muaj që varianti Delta, është dominant ndër pacientët që po vuajnë nga COVID-19 në Kosovë. Si pasojë e mungesë së këtyre pajisjeve, mostrat për verifikimin tipologjik të COVID-19, po bëhen jashtë vendit.

Teka një muaj më parë, IKShP, nisi procedurën e prokurimit për blerjen e mjeteve për testim për variantet e reja të virusit. Për këtë qëllim, kishte ndarë 8,632 euro buxhet.

Në njoftim ipen më shumë detaje për fushëveprimin e tenderit.

“RT PCR kit me gjitha komponentat për të kryer Real Time PCR testim; 96 reaksione në paketim; Detekton variantin alfa, beta dhe delta në filtra specifik secila; I aplikueshëm në Biorad CFX 96 Dx, sasia 13 pako”, thuhet në thirrjen për kontratë.

Për këtë tender, u përdor procedura e kuotimit të çmimit me kriter për dhënie të kontratë – çmimi më i ulët.

Për të kryer këtë furnizim, kishte vetëm një ofertues i interesuar, i cili tashmë iu është dhënë kontrata.

“Për këtë aktivitet të prokurimit ka tenderuar një Operator Ekonomik 1. Grupi i Operatorëve Ekonomik Inovix Sh.p.k & Sigma Pharm Sh.p.k. Vlera totale e ofertës 8,600.00 euro“, thuhet në informatat shtesë të këtij tenderi.

Për një pako nga 13 sosh sa lypset në thirrjen për kontratë, në raport me vlerën e përgjithshme të kontratës prej 8,600 euro i bie se një pako IKShP-së, i kushton mesatarisht 660 euro.

Ditën e djeshme KALLXO.com shkroi se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK), ka nevojë për aparatura laboratorike për t’ia dalë me pandeminë COVID-19, dhe për këtë qëllim, Ministria e Shëndetësisë, në javën e parë të këtij muaji nisi procedurat e prokurimit me katër lote, ku për të realizuar blerjen e aparaturave apo pajisjeve laboratorike Ministria ndau 360 mijë euro.

 

IKShPK ka nevojë për aparatura kundër COVID-19, Ministria i ndanë 360 mijë euro

KALLXO.com gjithashtu raportoi se, tenderi për furnizim me pajisje mbrojtëse personale kundër COVID-19 i këtij dikasteri qeveritar ende është në procedurat e prokurimit. Për këtë tender Ministria kishte ndarë mbi 2.4 milionë euro.

Ende ne procedurë prokurimi, 2.4 milionë eurot e ndara nga Ministria për mjete mbrojtëse nga COVID-19