
JD Vance, Foto: JD Vance/Facebook
Vance dikur e krahasonte Trumpin me Hitlerin, tani garojnë së bashku
Tetë vjet më parë, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, J.D.Vance ishte kritik i ashpër i Donald Trumpit.
Publikisht, e kishte quajtur “idiot” kandidatin e atëhershëm presidencial të republikanëve, dhe kishte thënë se ai duhet të “qortohet”. Privatisht, e kishte krahasuar me Adolf Hitlerin, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.
Por prej momentit kur Trumpi ndau mendjen të hënën (15.07.2024) që ta shpallte bashkëgarues, politikani i Ohios është kthyer në njërin prej mbrojtësve më të mëdhenj të Trumpit, duke i qëndruar në krah edhe kur republikanë të profilit të lartë refuzonin t’ia mbronin shpinën.
Transformimi i James David Vance, prej një të vetë-përshkruari “kurrë trumpist” në një besnik të vendosur, e kthen atë në një figurë relativisht të pazakonshme në rrethin e ngushtë të Trumpit.
Demokratët, madje edhe disa republikanë e kanë vënë në dyshim nëse Vance, i cili ka shkruar një memoar bestseller “Hillbilly Elegy” dhe tani është senator i Ohios, më shumë priret prej oportunizmit se prej ideologjisë, shkruan Reuters.
Por Trumpi, i cili e mbijetoi atentatin gjatë një tubimi fushate në Pennsylvania të shtunën (13.07.2024), dhe shumë këshilltarë të tij, e shohin transformimin e Vance si të sinqertë.
Ata spikasin se bindjet politike të Vance, të cilat përziejnë izolacionizmin me popullizmin ekonomik, gërshetohen me ato të Trumpit dhe i dallojnë të dy prej gardës së vjetër të republikanëve, ku mbështetësit e politikës së jashtme dhe evangjelistët e tregut të lirë ende mbajnë frerët e pushtetit.
Senatori republikan në Wyomingu, John Barrasso, të cilin Vance e kishte përshkruar si mentor, ka thënë për Reuters se Vance ndryshoi pikëpamjet e tij për Trumpin për shkak se “pa sukseset që presidenti Trump si president ia solli vendit”.
Veçmas, kundërshtimi i zëshëm i Vance kundrejt ndihmës amerikane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë i ka kënaqur shumicën e aleatëve konservatorë të Trumpit, megjithëse i ka zhgënjyer disa kolegë në senat.
“Ai e kupton pse po garon Trumpi dhe, ndryshe prej pjesës tjetër të Partisë Republikane në Washington, pajtohet me të” – ka deklaruar komentuesi konservator, Tucker Carlson, një mbështetës i zëshëm i Vance.
Vance, 39 vjeç, u lind në një familje të varfër në Ohio. Përzgjedhja e tij mund t’i japë shtytje fushatës së Trumpit në mesin e disa shteteve të pavendosura, përfshirë Pennsylvanian dhe Michiganin, ani pse pikëpamjet e tij konservatore mund t’i dekurajojnë votuesit e moderuar.
David Niven, profesor i shkencave politike në Universitetin e Cincinnatit dhe që ka punuar si shkrues i fjalimeve të dy guvernatorëve demokratë, ka thënë se Vance do ta ndihmonte fushatën e Trumpit nëse do t’ia dilte të portretizohej si zë i “Ëndrrës amerikane”. Ai është referuar ngritjes së Vance nga një fëmijë i varfër në senator dhe kandidat për zëvendëspresident amerikan.
Pasi kishte shërbyer në Marinën amerikane, ka studiuar në Shkollën e së Drejtës në Yale dhe punoi si sipërmarrës kapitalist në San Francisco, Vance mori vëmendjen e madhe kombëtare falë librit të tij botuar më 2016, “Hillbily Elegy”. Në atë memoar, ai eksploron problemet socio-ekonomike me të cilat përballet qyteti i tij i lindjes dhe u rrek t’ua shpjegonte lexuesve popullaritetin e Trumpit në mesin e amerikanëve të bardhë të varfër.
Ai ishte kritik i ashpër i Trumpit, publikisht dhe privatisht, më 2016 dhe gjatë fazave fillestare të mandatit të tij 2017-2021.
“Jam i dyzuar ndërmjet mendimit se Trumpi është një trap cinik, si puna e Nixonit, i cili nuk do të mund të ishte aq i keq (dhe mund të ketë qenë i dobishëm) ose se ai është Hitleri i Amerikës” – i kishte shkruar privatisht një miku në Facebook më 2016.
Por prej kohës kur Vance garoi për Senat në vitin 2022, demonstrimi i besnikërisë së tij, duke minimizuar edhe sulmin e 06.01.2021 në Capitol prej mbështetësve të Trumpit, ishte i mjaftueshëm për të fituar mbështetjen e ish-presidentit. Mbështetja e Trumpit e ndihmoi të ishte garues serioz në zgjedhjet paraprake partiake.
Skepticizmi i Vance për Amerikën e korporatave, mbështetja e tarifave, laramania e pikëpamjeve për politikën jashtme dhe energjia e tij rinore e bëjnë atë zë të spikatur të një Partie të re Republikane që është më e fokusuar në shtresën punëtore se në bizneset e mëdha në sytë e përkrahësve, vlerëson Reuters.
Senatori Barrasso ka thënë se duke u përzgjedhur bashkëgarues i Trumpit, Vance mund të artikulojë më mirë se kushdo tjetër dhimbjen që ndjejnë familjet amerikane.
Ai është kritikuar për kopjim të Trumpit.
“Vance është jehonë e Trumpit, e jo zë i ri” – ka thënë profesiori Niven./Reuters
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com