Valon Totaj - Foto: KALLXO.com

Valon Totaj: Është e vërtetë që qytetarët presin kohë të gjatë për realizimin e një të drejte civile

Valon Totaj, kryetar i Gjykatës së Apelit, në emisionin “Kallxo Përnime” ku po debatohet për zvarritjet e lëndëve civile, tha se janë të shumta arsyet pse qytetarët po presin me vite të tëra për të realizuar një të drejtë civile.

“Arsyet pse qytetari duhet të presë janë të shumta duke filluar prej grumbullimit të lëndëve qysh para kohës se themelimit të Apelit apo strukturës së mëhershme të organizimit të gjyqësorit, sjellja e stoqeve të ndryshme të lëndëve nga gjykatat e ndryshme të ish-qarkut në atë kohë të cilat qysh në start e kanë ngufatur punën e Apelit…” tha Totaj.

Kryetari Totaj tha se ky numër i madh i lëndëve vit pas viti e ka përcjellë punën e Gjykatës se Apelit, si dhe përmendi edhe faktet e tjera siç janë rritja e numrit të padive civile, ndërsa tha se rritja graduale e gjyqtarëve në shkallën e parë, nuk ka qenë një trend i përcjellë edhe në shkallën e dytë.

“Janë edhe disa arsye tjera që janë një lloj pasoje e shoqërive postkonfliktuoze sepse në përgjithësi në shtetet e dala nga lufta, shtetet në regjion e kemi vërejtur që është një inercion i trajtimit të çështjeve penale kurse sfera civile në një mënyrë është lënë jashtë fokusit, në ndërkohë me kalimin e kohës i është dhënë fokusi edhe këtyre çështjeve”, shtoi tutje Totaj.

Për diskrepancën në trajtimin e lëndëve mes gjykatave Totaj tha se Gjykata Themelore e Prishtinës ka një shtrirje jashtëzakonisht të gjerë territoriale, e kjo ndikon sipas kryetarit që kjo Gjykatë të këtë një numër të madh të lëndëve në krahasim me qytetet e tjera, ndërsa tha se kjo mund të jetë edhe si arsye e një shtrirje jo të drejtë të resurseve.

Totaj tha në procedurë civile në Gjykatën e Apelit lënda me e vjetër është e vitit 2017.

KALLXO.com ka publikuar analizën qe tregon për zvarritjet e lëndëve civile në gjykata, dallimet mes kohëzgjatjes se trajtimit të këtyre lëndëve, si dhe llojet e  lëndëve civile që gjykatat janë më së shumti të ngarkuara.