Valon Tolaj jep dorëheqje nga AKP

Drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Valon Tolaj, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Përmes një postimi në Facebook, Tolaj ka thënë se duke marrë parasysh ndryshimet në këtë Agjenci, ai ka vlerësuar se kontributi i tij është i panevojshëm.

“Drejtimi që po merr procesi i transformimit të pronës shoqërore, dhe koha e mbetur e mandatit tim,  më kanë bërë të vlerësoj që kontributi im i mëtutjeshëm në AKP është panevojshëm edhe me tutje”, ka shkruar ai.

Qeveria e Kosovës e ka në planë shuarjen e kësaj Agjencie si dhe krijimin e Fondit Sovran.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore.

Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) dhe ka qenë nën menaxhimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, kjo Agjenci e ka marrë emrin Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe është institucion kosovar.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës së quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.