Valon Tolaj deklarohet për bisedën me Ramush Haradinajn para emërimit në pozitën e drejtorit të AKP-së

Komisioni Hetimor për procesin e privatizimit ka filluar sot intervistimin e drejtorit menaxhues të Agjencisë Kosovare për Privatizim, Valon Tolaj.

Tolaj është pyetur nga ana e Komisionit për pozitën e tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kur është emëruar në pozitën e drejtorit të AKP-së.

I njëjti është deklaruar se kur është emëruar në pozitën e drejtorit të AKP-së ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në AAK.

“Kam dhanë dorëheqje nga AAK nga pozita në parti dhe nga pozita e zëvendësshefit në fund të prillit të vitit 2018, për arsyeje personale, ndërsa drejtor në AKP  jam emëruar në fund të nëntorit 2018”, ka thënë Tolaj.

Tolaj para komisionit është deklaruar edhe për kontaktin që ka pasur me ish kryeministrin Ramush Haradinaj para emërimit të tij në këtë pozitë.

“Propozimi nuk vjen prej kryeministrit, Qeveria propozon vetëm anëtarët e bordit, unë e kam zhvilluar kontaktin me bordin dhe e vetmja bisedë me ish kryeministrin ka qenë kur unë e kam njoftuar kryeministrin për interesin tim për të aplikuar në pozitën e drejtorit menaxhues”, ka thënë Tolaj.

Gjatë këtij instervistimi, Tolaj ka treguar për sipërfaqen e shpronësuar nga ana e Qeverisë.

“Sipërfaqja e shpronësuar nga qeveria është shumë e madhe, dhe po flasim deri tash shkon në 5000 hektarë, ndërsa nëse marrim shitjet e pronave bujqësore janë 10 mijë hektarë”, ka thënë Tolaj.

Me 26 nëntor 2011, Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e rregullt gjatë të cilës ka emëruar Valon Tolajn në pozitën Drejtor Menaxhues me mandat prej katër vitesh.

Valon Tolaj ka qenë sekretar ekzekutiv i partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ish-zyrtari i AAK-së emërohet Drejtor Menaxhues i AKP-së