Valon Raka: Hidrocentralet janë një problematikë shumë e madhe

Në debatin ‘Jeta në Komunë’ për komunën e Kaçanikut janë ngritur problematikat si ajo për ndërtimin e hidrocentraleve dhe lejet ndërtimore të cilat jepen nga Komuna.

Valon Raka nga organizata “Gjethi” ka thënë se ndërtimi i hidrocentraleve në Kaçanik janë një problematikë shumë e madhe.

“Sa i përket hidrocentraleve ka probleme shumë të mëdha. Ne ende konsiderojmë se këto hidrocentrale janë një problematikë shumë e madhe, pa marrë parasysh punën kërkimore, e cila është bërë në terren me kapacitetet tona si OJQ dhe me debatet e qytetarëve që i kemi atje po shihet që kjo nuk ka qenë e duhura që do të ishte bërë, ende ka tendenca për të ndërtuar hidrocentrale të tjera”, ka thënë ai.

Tutje Raka ka rekomanduar Komunën që të mos japë leje të tjera për ndërtimin e tyre.

“Rekomandimi im është që Komuna të mos japë leje të tjera për ndërtimin e hidrocentraleve, dihet se janë disa faza për marrjen e lejes së ndërtimit të hidrocentraleve”, ka thënë ai.

Ndërsa, në anën tjetër kryetari Ilazi ka thënë se deri më tani nuk kanë dhënë leje për ndërtimin e hidrocentraleve.

“Nuk ia kemi dhënë deri tani, por kemi me u detyru në fund për shkak se me gjykata kanë me naj marrë edhe kanë me na kërku krejt shpenzimin, për shkak se neve kur të na lypet leja e ndërtimit veç e shohim aty”, është shprehur Ilazi.