Valmira Baruti: QKK-ja keqpërdori fondet publike në emër të promovimit të filmit

Producentja Valmira Baruti në emisionin “Kallxo Përnime” tha se Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka keqpërdorur paranë publike në emër të promovimit të filmit në festivale ndërkombëtare.

Producentja Baruti, e cila jeton dhe punon në Kanada, ka thënë gjatë emisionit se dyshimet e para për këto keqpërdorime i kishte parë më 2019, në Festivalin e Filmit në Toronto të Kanadasë.

Ajo thotë se ka parë se si ish-drejtori i QKK-së, zyrtarët e tjerë dhe stafi përcjellës, më shumë harxhonin për dreka e darka sesa në promovim të kinematografisë kosovare.

“Nuk po flas për filmin, që ishte fantastik, por për paraqitjen e aktorëve dhe mënyrën se si u prezantua suksesi më pas”, tha Baruti.

Sipas saj, gjatë një hulumtimi që ajo ka bërë për QKK-në nga 2019 ka vërejtur mjaft dyshime për keqmenaxhim të parasë publike.

Ajo ka thënë se drejtori dhe anëtarët e KD-së së QKK-së nuk kanë vend në festivale ndërkombëtare. Ndërsa ka thënë  se 10 për qind e buxhetit të QKK-së shkon në emër të promovimit të filmave kosovarë.

Aktori dhe regjisori, Luan Daka, anëtar i Këshillit Drejtues të QKK-së, thotë gjatë debatit se KD nuk informohej rreth pjesëmarrjes së drejtorit dhe zyrtarëve tjerë në festivale ndërkombëtare.

Ai shton se në raste kur kërkohej llogari nga drejtori, ai arsyetohej se atje ka mundësi të lidhë shumë marrëveshje në dobi të kinematografisë sonë.

“Na thoshte: është me shumë rëndësi pjesëmarrja, atje ne kontaktojmë me njerëz të hierarkisë së lartë në festivale”, tha Daka.

Daka thotë se në festivale duhet të marrin pjesë stafet e filmave e jo zyrtarët e QKK-së.

Ndërkaq, Bislim Bislimi, zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës,  Rinisë dhe Sportit, thotë gjatë emisionit “Kallxo Përnime” drejtori i QKK-së duhet ta ketë prioritet zhvillimin e politikave për promovim.

“Drejtori i QKK-së nuk duhet të shkojë nëpër festivale, por në vend ku gjenerohet bashkëpunim për zhvillim të kinematografinë”, tha Bislimi.