Valmir Ismaili nga 'Demokracia Plus' - FOTO KALLXO.com

Valmir Ismaili tregon variantet që mund të mënjanojnë parregullsitë në zgjedhje

Drejtori ekzekutiv i organizatës Demokraci Plus (D+), Valmir Ismaili në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë duhet vullnet i subjekteve politike që reformën zgjedhore ta marrin më seriozisht në mënyrë që të mos përsëriten parregullsitë në zgjedhje.

Ai ka theksuar se ekzistojnë disa mundësi, të cilat do të mund të shmangnin këto parregullsi ose t’i evitonin ato në masë të madhe.

“Ta zëmë një prej opsioneve që është duke u folur së fundmi është që mos të numërohen të gjitha votat në vendvotime, do të thotë të numëroheshin vetëm për subjektet politike, përderisa ato për kandidatët të numëroheshin në qendër të numërimit”, është shprehur ai.

Varianti tjetër, sipas tij  është që të gjitha votat të numërohen në qendra rajonale,  të krijoheshin qendra komunale apo kjo të bëhej në QNR.

“Megjithatë edhe kjo është çështje që do të duhej të diskutohej. Pastaj për shkak se problemet më të mëdha kanë ndodhur në vjedhjet që kanë ndodhur brenda llojit ose për kandidatët, një opsion është që të mbyllen në tërësi listat që nuk është një opsion që ma merr mendja që do të kishte përkrahjen as nga subjektet politike po as nga shoqëria civile sepse hapja e listave konsiderohet një prej të arriturave më të mëdha që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës”, ka thënë ai.

Por, siç thotë ai, çfarë do të mund të bëhej është që numri i opsioneve për zgjedhje të zvogëlohej nga pesë kandidatë të bëhej në tre kandidatë.

“Konsideroj që bartësi i listës do të duhej të merrte drejt për së drejti votën, do të thotë kur votohet subjekti politik të shkojë edhe për bartësin e  listës, njëjtë qysh e kemi në zgjedhje komunale. Përderisa të mund të përzgjidheshin edhe tre kandidatë të tjerë”, vlerëson drejtori i D+.

Një tjetër variant, sipas Ismailit, do të mund të ishte që komisionerët mos të jenë të subjekteve politike, por të jenë shërbyes civil.

“Kjo është një praktikë në Maqedoni dhe konsideroj që është një praktikë e mirë sepse nëse do të ndodhte që të bënte ndonjë gabim ndonjë komisioner ata mund të sanksionohen me vendin e punës që e kanë dhe normalisht që nuk do të ishte në interes të tyre që të bënin parregullsi të tilla. Përderisa, subjektet politike do të mund të kishin vëzhgues në vendvotime, komisionerët mund të jenë njerëz nga shërbimi civil”, tha ai për KALLXO.com.

Një alternativë tjetër, sipas tij, që mund të evitonte këto probleme është edhe çështja e ndarjes në zona zgjedhore.

“Megjithatë për të pasur ndarje në zona zgjedhore ne do të duhej të kishim një listë të mirë të votuesve dhe një regjistrim të popullsisë, e që konsideroj që regjistrimi i fundit që ka ndodhur në vitin 2010 nëse nuk gaboj, nuk ka ofruar të dhëna të mira sepse kemi diskrepancë shumë të madhe në mes të listës së votuesve dhe të njerëzve që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

Krejt në fund, sipas Ismailit, një zgjidhje tjetër e domosdoshme është që zgjedhjet e jashtëzakonshme të bëheshin në afate kohore sikurse zgjedhjet e rregullta.

“Po shihet që ka probleme të mëdha dhe një numër i madh i alternativave të cilat po propozohen nga ekspertë të ndryshëm do të mund të aplikoheshin vetëm për zgjedhje të rregullta  nëse kemi zgjedhje në afate të rregullta kohore. Kurdo që të ndryshohet ligji që zgjedhjet, nëse bie qeveria para kohe, zgjedhjet prapë të mbaheshin në afate të rregullta kohore”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Demokraci Plus (D+), Valmir Ismaili në këtë intervistë për KALLXO.com, ka folur për zvarritjen e procesit drejt certifikimit të zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura me 6 tetor 2019, si dhe për çështje të tjera.

Intervistën e plotë mund ta shihni më poshtë:

https://kallxo.com/gjate/interviste/valmir-ismaili-kosova-nuk-e-ka-luksin-te-shkoj-prape-ne-zgjedhje/