Foto: Ilustrim

Valë arrestimesh në Kroaci, deputetë e biznesmenë përfundojnë në pranga për korrupsion

Ka filluar mbrëmë në orët e vonshme dhe ka vazhduar edhe sot në orët e mëngjesit në Kroaci një aksion i zyrës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (USKOK), bashkë me Policinë kroate.

Dhjetëra biznesmenë kryesisht pronarë kompanish janë arrestuar, ndërsa dy deputetë që janë edhe kryetarë të Komunave po dyshohen për veprime të ndryshme në fushën e krimit ekonomik, duke filluar nga favorizimi i kompanive, ndikimi në tregti e deri te dhënia dhe marrja e ryshfetit, raporton index.hr.

Një aksion i përbashkët ndërmjet Policisë dhe USKOK vuri nën pranga disa biznesmenë ndërsa janë në hetime disa zyrtarë të lartë shtetërorë dhe të subjekteve kryesore politike HDZ dhe SDP.

Kryetari i Komunës Velika Gorica që është deputet i partisë HDZ (Parti në pushtet) Drazhen Barishiç, dhe deputeti i partisë tjetër SDP Vinko Grgiç kryetar i Komunës së Nova Gradishta janë të dyshuar si të përfshirë në afera korruptive të manipulimit me tenderë publikë.

Menjëherë mëngjesin e sotëm Parlamenti i Kroacisë ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme dhe i ka hequr imunitetin parlamentar tre deputetëve, pas kërkesës së Prokurorisë që po kërkon masën e paraburgimit ndaj dy prej tyre, ndërsa për deputetin e tretë Darko Puljashiç gjithashtu të partisë në pushtet HDZ, Prokuroria po vazhdon hetimet.

Zyra kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (USKOK) dyshon se janë përfshirë miliona euro ryshfet për të rregulluar marrëveshjen për tenderët për ndriçimin publik, termocentrale dhe tenderë tjerë.

Dy kryetarët e Komunave që  deri mëngjesin e sotëm kanë qenë edhe deputetë dhe menjëherë u është hequr imuniteti parlamentar, bashkë me pronarin e kompanisë “Janaf” i arrestuar mëngjesin e sotëm, akuzohen për vepra penale të dhënies dhe marrjes së ryshfetit deri në 25 milionë Euro (200 milionë Kuna kroate), duke përfshirë edhe manipulimin me tenderë në favor të kësaj kompanie.

Jo zyrtarisht media kroate Jutarnji.hr, raporton se në nëntor të vitit të kaluar janë dhënë rreth 250 mijë Euro në këmbim të favorizimit të kompanive të caktuara për të përfituar punë dhe tenderë të ndryshëm.

Pos dy deputetëve të dyshuar, USKOK ka arrestuar rreth 10 persona tjerë, kryesisht biznesmenë dhe pronarë kompanish të përfshirë në aferën korruptive ku dyshohen se janë keqpërdorur miliona Euro për tenderë dhe dhënie ryshfeti.

Edhe në muajin maj të këtij viti kishte pasur një valë arrestimesh në disa qytete, ku si të dyshuar nën pranga kishin përfunduar disa zyrtarë të lartë shtetërore, duke përfshirë kryeshefë të agjencioneve dhe ish kryetarë të komunave.

Kroaci, valë arrestimesh të zyrtarëve të lartë nën dyshimet për krim të organizuar dhe korrupsion