Valdrin Lluka: Privatizimi i Telekomit do ta godasë nepotizmin dhe keqpërdorimin e parasë publike

Valdrin Lluka, ish- ministër i Ekonomisë, ka thënë se prioritet i qeverisë së ardhshme duhet të jetë privatizimi i Telekomit sepse do të godiste nepotizmin dhe keqpërdorimin e parasë publike

Lluka po ashtu ka renditur projektet e mbetura në gjysmë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Problem për ish ministrin Lluka është menaxhimi dhe shtyrja përpara e këtyre projekteve sidomos ai për Telekomin dhe ndërtimin e Termocentralit.

“Politikanët nuk janë ngopur, jo në një të ardhme të afërt. Duhet të ndërrohen gjeneratat e politikës, të vijnë gjenerata me etikë ndryshe të politikë bërjes. Ne jemi ballafaquar me një situatë jo të mirë në Hade dhe Shipitullë, kemi qenë afër kolapsit energjetik. Kemi përmirësuar infrastrukturës së spitaleve me energji efiçiente, kemi përmirësuar kushtet për blerje të energjisë, Banka Evropiane është tashmë e gatshme me mbështesë projekte me energji të ripërtërishme. Neve na ka mbetur në gjysmë privatizimi i Telekomit dhe kjo ka ndodhur për arsye populliste sepse punëtorët kanë qenë kundër privatizimit, janë ndërprerë kontratat e dëmshme, ka mbetur në gjysmë ligji për ndërmarrje publike dhe shpresojmë që kushdo që vjen ta çojë përpara sepse e godet nepotizmin dhe keqpërdorimin, ka mbetur në gjysmë edhe procesi i dhënies së licencave për energji të ripërtërishme me tarifa me ankande të ndryshme, kjo ka ndodhur për shkak të mos bashkëpunimit të zyrës së rregullatorit dhe këtu po flasim për politizimin e bordeve. E sfida kryesore mbetet menaxhimi i ndërmarrjeve publike”, ka thënë Lluka.

Ai për minatorët ka thënë se duhet të kenë pensionim të hershëm dhe sigurim shëndetësor të përjetshëm.

Sipas Llukës,  edhe projektet për ujë të pijes duhet të shtyhen përpara  për shkak se Kosova ka rezerva ujore më të paktat në rajon e botë.

Ai ka thënë se menaxhimi dhe shtyrja përpara e këtyre projekteve sidomos ai për Telekomin dhe ndërtimin e Termocentralit mbesin sfidë për qeverinë e ardhshme.

“Shumë e rëndësishme është privatizimi i Telekomit  sepse është i mbipopulluar dhe efikasitetin e punës nuk e ka, të shiten aksionet për 51 për qind dhe Kosova të mbetet përsëri shoqëri aksionare. Përveç privatizimit të Telekomit është edhe ligji për Miniera, kam qenë në minierë dhe kam parë persona mbi 61 vjet që punojnë në kushte jo të mira. Ne e kemi filluar punën dhe kushdo që vjen duhet ta vazhdojë atë. E treta është ndërtimi i termocentralit e pjesa më e vështirë është financimi i tij. Nëse nuk duan të vazhdojnë me këtë atëherë ata duhet të kenë një plan B të menjëhershëm. E gjithë kjo do të shihet në dhjetor. Tjetra është ligji për ndërmarrje publike dhe punësimi i grave në borde. Pastaj uji i pijes sepse Kosova humb 58 për qind për shkak të orë matësve të vjetër e që ne e kemi parashikuar me ndërrimin e tyre. Rezervat ujore janë më të ulëta në Rajon, 270 litra në Kosovë për kokë banori, me mbi 600 litra në rajon dhe me mbi 1000 ne botë”, ka vazhduar më tej ministri Lluka.