Valdete Bajrami | Foto: KALLXO.com

Valdete Dushica-Bajrami largohet nga Nisma

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nisma Socialdemokrate, Valdete Dushica-Bajrami ka bërë të ditur se nuk do të jetë më pjesë e këtij subjekti politik.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se gjatë kësaj kohe me këtë parti kanë pasur suksese por edhe periudha të rënda.

“Në mars të 2014 e fillova rrugëtimin tim politikë në Nismë dhe jam krenare për këto 7 vite punë si në Kuvend, Qeveri dhe në parti me një angazhim të palodhshëm, përkushtim dhe mbi të gjitha sakrificë, kaluam periudha të rënda por edhe të suksesshme. Po ashtu, fal Nismës kam njohur shumë djem e vajza, burra e gra punëtor e të gatshëm të kontribuojnë për zgjerimin e frymës socialdemokrate e që në rrethana tjera nuk do ta kisha pasur mundësin t’i njoh kurrë”, ka shkruar ajo.

Dushica-Bajrami ka falënderuar edhe kreun e Nismës, Fatmir Limajn.

“Faleminderit secilës e secilit për angazhimin dhe përkrahjen tuaj. Gjithashtu, dua të falënderoj kryetarin Limaj që për këto 7 vite jo që ka qenë kryetar i partisë por edhe një mentor për mua në politikë. Unë më nuk do të jem pjesë e Nismës. Nismës e kryetarit Limaj i uroj suksese në rrugëtimin politik dhe gjithë aktivisteve e aktivistëve faleminderit për përkrahje e shumë suksese tutje”, thuhet në publikimin e saj.

Vendimi i Dushica-Bajramit për të mos qenë më pjesë e kësaj partie vjen pak kohë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit nga të cilat Nisma Socialdemokrate nuk e kaloi pragun për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.