Valdete Daka për votuesit e diasporës: Për KQZ-në në radhë të parë është integriteti i votës

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdeta Daka, në mbledhjen e sotme ka folur në lidhje me vendimin e KQZ-së që çdo votues jashtë Kosovës do të telefonohet dhe nëse nuk përgjigjet do të t’i refuzohet aplikimi për të votuar.

Daka ka thënë se i kupton shqetësimet që janë ngritur por që, sipas saj, KQZ-ja është institucion i pavarur dhe se në radhë të parë është integriteti i votave.

“Pra duhet ta dimë se kush po e hedh votën në ditën e zgjedhjeve. Prandaj ai vendim që është kontestu është në shërbim të integritetit të votimit. E kemi një udhëzim adiministrativ që ka kalu në këshilliin për çështje ligjore i cili do të sqarojë mënyrën se si bëhet verifikimi, dhe që arsyeton vendimin e djeshëm”, ka thënë Daka.

Sipas Dakës, KQZ-ja duhet që patjetër të sigurohet që çdo aplikues që voton është i vërtetë dhe qëndron prapa atij aplikimi.

Sipas vendimit të KQZ-së prej një e-mail adrese aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër.

Ndërsa në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi duhet të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari.

Tutje KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit dhe nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet.

KQZ-ja do t’u telefonojë votuesve në diasporë, nëse nuk lajmërohen nuk mund të votojnë