Valdete Daka: KQZ është e gatshme për zgjedhje në çdo kohë

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, në mbledhjen e këtij komisioni tha se KQZ nuk është ajo që i cakton zgjedhjet, por ajo që i organizon ato në kohën kur do ta pranojë dekretin e Presidentit.

Daka ka shtuar se zgjedhjet në komunën e Podujevës janë të gatshme dhe mungon vetëm data kur ato do të caktohen.

Sipas saj, të gjitha zgjedhjet dihet që mbahen të dielën dhe do të mbahen në ditën kur të caktohet data.

“Zgjedhjet nuk i kemi shtyrë ne, por Presidenti. Zgjedhjet janë shtyrë edhe në rajon dhe nuk jemi vendi i vetëm. Gjithashtu zgjedhjet janë për partitë politike dhe jo për KQZ-në dhe askënd tjetër. Masat janë ende janë në fuqi për pandeminë COVID-19 sepse ende nuk është mbyllur nga OBSh. Ne s’jemi e pala e interesuar ose e painteresuar që të mbahen zgjedhjet. Ne jemi pala që i organizon zgjedhjet. Ne jemi të gatshëm në çdo kohë kur të na caktohet data nga institucionet kompetente. Edhe njëherë, ne jemi pala që do të organizojmë zgjedhjet sepse për atë ekziston KQZ-ja dhe e kemi obligim kushtetues”, ka thënë ajo në mbledhje.

Tutje Daka ka thënë se edhe pas caktimit të datës së zgjedhjeve, KQZ do të kërkojë komente dhe rekomandime nga Instituti i Shëndetësisë Publike e Kosovës rreth gjendjes me COVID-19 në Kosovë dhe në vendin ku do të mbahen zgjedhjet.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës ishin caktuar të mbahen më 15 mars por ato u shtynë shkaku i pandemisë së COVID-19 një ditë para se të mbaheshin. Ato u nxitën pas dorëheqjes së Agim Veliut nga posti i kryetarit për shkak të emërimit si ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Albin Kurtit.