Valdete Daka kërkon kujdes maksimal nga subjektet dhe vëzhguesit në QNR
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka deklaruar se i mirëkupton vërejtjet për kohëzgjatjen e procesit zgjedhor, por sipas saj, KQZ-ja e ka për obligim ligjor që të zbatojë vendimet e institucioneve gjyqësore.
“Të gjithëve na takon që të kujdesemi për këtë proces zgjedhor që të gjithë e vlerësuan si një nga proceset më të mira në historinë e zgjedhjeve të vendit tonë”, thuhet në mesazhin e saj.
Daka, ndër të tjera, ka theksuar se aktualisht janë duke zbatuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e më shumë se 1 mijë e 400 vendvotimeve.
Ajo ka kërkuar kujdes maksimal nga përfaqëuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesve në procesin e rinumërimit në QNR.
“Në këtë fazë, e shoh të nevojshme që të jap këtë mesazh për të gjitha palët që janë pjesë e procesit si dhe duke ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e tyre të tregojnë kujdesin maksimal për integritetin e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; t’u përmbahen rregullave dhe procedurave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve dhe të ruajnë qetësinë e t’i shërbejnë procesit demokratik”, thuhet në deklaratën e Dakës.
Sipas saj, çdo cenim i procedurave dhe rregullave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve është në kundërshtim me deklaratën e vëzhguesit të nënshkruar prej tyre si dhe në kundërshtim me ligjin.
“Zyrtarët e numërimit duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre në mënyrë të lirë, të papenguar dhe profesionale. Çdo ndërhyrje në punën e zyrtarëve të numërimit vështirëson dhe ngadalëson procesin për certifikimin e rezultateve përfundimtare si dhe detyron KQZ-në të marrë masa ndaj personave që nuk respektojnë rregullat për vëzhgim”, thuhet më tej në komunikatë.
Sipas së parës së KQZ-së, çdo palë e cila ka vërejtje për administrimin e numërimit në QNR mund të bëjë ankesë në PZAP, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është i qartë në këtë drejtim: “Ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QNR dorëzohen me shkrim pranë PZAP-it brenda 24 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”.
“Unë mirëkuptoj vërejtjet për kohëzgjatjen e procesit zgjedhor, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka për obligim ligjor që të zbatojë vendimet e institucioneve gjyqësore dhe të gjithëve na takon që të kujdesemi për këtë proces zgjedhor që të gjithë e vlerësuan si një nga proceset më të mira në historinë e zgjedhjeve të vendit tonë”, ka përfundar Daka.
Reagimi i kryetares së KQZ-së, vjen pas raportimeve se shtabi zgjedhor i Nisma-s Socialdemokrate ka deklaruar sot se anëtarët e VV-së në KQZ, Nazlie Bala dhe Adnan Rrustemi po i kërcënojnë dhe shantazhojnë vëzhguesit e Nismas në QNR.
Gabimi që çoi në rinumërimin e rreth 1.500 vendvotimeve
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar aktivisti VV-së Alban Krasniqi.
Sipas Krasniqit i cili është edhe bashkëshort i deputetes Albulena Haxhiu, janë pikërisht vëzhguesit e Nismas ata që bëjnë presione dhe kërkojnë pavlefshmëri të votave.
Anëtari i VV-së akuzon vëzhguesit e Nismas për presione gjatë rinumërimit dhe ngacmime seksuale