Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Valdete Daka flet pas shkarkimit: Vendimi i presidentes është qesharak

Kryetarja e shkarkuar e KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë për media e ka quajtur vendim qesharak, shkarkimin e saj nga ana e presidentes, Vjosa Osmani.

“Arsyetimi i dhënë në shkarkim jo vetëm që është i paligjshëm por edhe qesharak dhe ky vendim i presidentës shihet qartë se është përgatitur më herët .  Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë një takim ku më ka ofruar të jap dorëheqeje dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Daka.

Sipas saj, ajo nuk e ka pranuar dorëheqjen, pasi ka zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Kërcënimet publike të presidentes Osmani kanë nis që nga janari i vitit 2021, kur duhej të certifikoheshin listat zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit. Me anë të një video presidentja kishte kërcënuar anëtarët me shkarkim”, tha Daka.

Sipas Dakës, arsyet e shkarkimit janë të pabaza.

“Argumentet e presidentes janë lehtësisht të rrëzueshme. Presidentja ka përmendur presionin në mbledhjen e 22 janarit, në këtë mbledhje është parë dështimi j përmbushjes së detyrave për regjistrim të listave politike. Në këtë mbledhje një numër i kandidatëve nuk kanë përmbushur kriteret për të qenë kandidat për shkak të informayave të KGJK. KGJK brenda një ore kishte treguar se të dhënat që i kishte ofruar drejtorit të certifikimit kanë qenë të sakta”, tha Daka tutje.

Daka tha se është akuzuar vetëm ajo për të gjitha vendimet e KQZ-së.

“Presidentja ka përdorur çështjen e verifikimit të votuesve jashtë vendit. Zonja preidentje kjo është e pavërtetë e madhe KQZ nuk i ka mohuar asnjë personi të drejtën e votës.  Vendimi i KQZ nuk është marrë nga unë por kanë votuar të gjithë anëtarët e KQZ-së”, shtoi më tej ajo.

Daka ka përmendur edhe verifikimin e aplikuesve jashtë Kosovës.

“KQZ-ja, me vendimin për verifikimin e aplikuesve nuk i ka mohuar askujt të drejtën për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe as për të votuar, sepse KQZ-ja i ka përfshirë në listën votuese edhe ata aplikues që nuk kishte arritur t’i kontaktonte përmes telefonit. Për më tepër, vendimi i KQZ-së nuk është marrë vetëm nga unë, por për të kanë votuar të gjithë anëtarët e KQZ-së.”, tha Daka.

Presidentja Vjosa Osmani e ka shkarkuar të hënën Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së KQZ-së dhe ka emëruar  Kreshnik Radoniqin kryesues të ri të KQZ-së.