Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Valdete Daka: Askujt nuk do t’i mohohet e drejta për votim

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se askujt nga diaspora nuk do t’i mohohet e drejta për votim për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Daka në mbledhjen e KQZ-së theksoi se rekomandimi është që ata që kanë aplikuar suksesshëm të hyjnë në listë dhe se numri i tyre është rreth 102 mijë.

“Të gjithë ata që kanë plotësuar kushtet e parapara me ligj.  Këtu përfshihen në listë edhe ata që nuk janë konfirmuar përmes telefonit. Të gjithë ata që kanë dëshmuar zotësinë juridike, janë përfshirë në listë. Askujt nuk do t’i mohohet e drejta për votim. Nuk ka mbetur asnjë email pa u verifikuar. Kemi arritur mbi 80 mijë që t’i telefonojmë”, theksoi ajo.

Kurse, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje Sami Kurteshi ka thënë se KQZ-ja nuk i ka zbatuar afatet e veta.

“Nuk ka mundur që të lejojë të votohet për afatin e paraparë. KQZ ta shtyjë datën e pranimit të votës jashtë vendit. Nëse ne nuk i lejojmë, ne bëjmë vepër penale”, tha ai.

KQZ-ja në fund ka miratuar propozimin që të futen në listë edhe ata votues që nuk janë konfirmuar përmes telefonit ende.