U.D. i ShSKUK, Valbon Krasniqi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Valbon Krasniqi nuk e kalon konkursin për drejtor të ShSKUK-së

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, nuk e ka kaluar konkursin për drejtor të përgjithshëm të këtij institucioni shëndetësor.

Sipas njoftimit të publikuar më datë 20 janar, Valbon Krasniqi nuk i ka plotësuar kushtet dhe kriteret e konkursit, pasi sipas njoftimit, i mungon përvoja menaxheriale sipas kritereve të konkursit.

Përveç Krasniqit, konkursin nuk ka arritur ta kalojë edhe Gloria Staka. Ndërsa kandidatët të cilët i kanë plotësuar kriteret janë Saudin Maliqi, Gani Halilaj, Driton Ukmata dhe Basri Lenjani.

Në konkursin e shpallur për drejtor të ShSKUK-së është kërkuar që kandidatët duhet t’i kenë 10 vjet përvojë pune, prej të cilave 5 vite në nivel menaxherial drejtues të institucioneve të nivelit dytësor apo tretësor të kujdesit shëndetësor, ose organizatave me aktivitet të veçantë në fushën e menaxhmentit shëndetësor.

Konkursi në fjalë ishte hapur 25 nëntor të vitit 2020 dhe afati për aplikim ishte 15 ditë.

Valbon Krasniqi ishte emëruar ushtrues detyre pas shkarkimit të ish drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu nga bordi i drejtorëve, më 6 korrik të vitit të kaluar.

Shkarkohet Basri Sejdiu, Drejtor i ShSKUK-së