U.D. i ShSKUK, Valbon Krasniqi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Valbon Krasniqi nis punën si drejtor i ShSKUK-së
Pas shtatë muajsh si ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Valbon Krasniqi ka filluar punën zyrtarisht si drejtor ekzekutiv i këtij institucioni.
Ai ka thënë se me përkushim maksimal, transparencë dhe punë ekipore do të jenë shembulli më i mirë i menaxhimit të situatës epidemiologjike në vend.
“Një vit më parë kur u konfirmuan rastet e para me COVID-19 besuam fuqishëm se ne bashkarisht do t’ia dalim. Edhe tani, kur po qarkullojnë variante të reja të këtij virusi, e kemi po të njëjtin besim”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Drejtori gjithashtu është shprehur se të gjitha spitalet regjionale në vend do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Krasniqi ka falënderuar të gjithë për mbeshtetje dhe besim.
Kujtojmë se Krasniqi ishte diskualifikuar nga gara për drejtor të ShSKUK-së për shkak të mospërvojës së tij në punë menaxheriale për t’u kthyer në garë përsëri. Me t’u rikthyer Krasniqi në garë tre nga kandidatët e tjerë u larguan nga gara pasi, sipas tyre, konkursi ishte i politizuar dhe jotransprent.
Në anën tjetër organizata BIRN nuk ishte lejuar të monitoronte testimin e kandidatëve për drejtor.
Valbon Krasniqi zgjidhet drejtor i ShSKUK-së në konkursin e politizuar dhe jotransparent