U.D. i ShSKUK, Valbon Krasniqi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Valbon Krasniqi: Do të sigurojmë të gjitha barnat dhe shtretërit për pacientët me COVID-19

Ushtruesi i  Detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha se do të sigurojnë barna dhe shtretër për pacientët e infektuar me coronavirus.

“Ne do të sigurojmë të gjitha barnat dhe të gjitha produktet tjera të nevojshme dhe do të sigurojmë shtretër për të gjithë ata që kanë nevojë”, theksoi Krasniqi.

Ai gjithashtu tha se përkundër numrit të madh të pacientëve të shtrirë nëpër klinika dhe spitale, kanë arritur që të ofrojë shërbimet shëndetësore si dhe të sigurojë barnat dhe medikamentet e nevojshme.

“Përkundër numrit të madh të pacientëve të shtrirë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka arritur që për të gjithë pacientët që kanë pasë nevojë të shtrihen në spital të ofrojë shërbime shëndetësore të sigurojë të gjitha barnat dhe medikamentet e nevojshme dhe të vazhdojë të furnizojë në mënyrë të rregullt edhe personelin shëndetësor me pajisje mbrojtëse personale anti-COVID”, theksoi Krasniqi.

Tutje, ai tha se 900 pacientë janë të shtrirë nëpër klinika dhe spitale rajonale prej tyre 640 janë duke u asistuar me oksigjeno- terapi, ndërsa 40 pacientë janë në gjendje të rëndë.

“Ka më shumë se një muaj që Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës janë të mbingarkuar me pacientë këtyre ditëve numri i pacientëv që marrin shërbime brenda 24 orëve ka kaluar numrin mbi 1 mijë këto ditë kemi një rënie shumë të lehtë. Sot kemi rreth 900 pacientë të spitalizuar në klinikat dhe spitalet rajonale prej tyre 640 janë me oksigjeno -terapi të vazhdueshme dhe janë rreth 40 pacientë të tjerë që janë në gjendje të rëndë”, tregoi ai.

Sot në Kosovë janë regjistruar edhe 590 raste të reja me COVID-19, ndërsa brenda 24 orëve kanë vdekur 13 persona si pasojë e infeksionit me coronavirus.