Vala mbyll të gjitha pikat e shitjes

Përmes një mesazhi që iu ka shkuar të gjithë konsumatorëve, Vala ka njoftuar se do të mbyllen të gjitha pikat e shitjes për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

“Duke respektuar në tërësi masat e ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit COVID19 pikat tona shitese do të jenë të mbyllura deri në vendimin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Valës.

Më tej në njoftim thuhet se konsumatorët me mbushje telefoni mund të furnizohen në të gjitha pikat e Postës së Kosovës, në markete, në pikat tjera shitëse ku është prezente shenja Vala si dhe në të gjithë bankomatet.

“Për çdo info shtesë thirr në 080010000”, vazhdon njoftimi.

Brenda dy ditëve pesë persona kanë dalë pozitiv me coronavirus në Kosovë. Tre prej tyre janë nga Stublla e Vitisë, një nga Klina dhe një nga fshati Bubavec i Malishevës.

Dje Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbylljen e të gjitha kafiterive, restoranteve, pubeve, tregjeve të kafshëve dhe automjeteve, qendrave tregtare, ka pezulluar fluturimet nga 16 marsi, ka ndaluar transportin ndër-urban dhe ndërkombëtar, ka bllokuar kufijtë tokësor për udhëtarët që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, ka urdhëruar kompanitë private që punëtorët të mund t’i kryejnë shumicën e punëve nga shtëpia, ka pezulluar të gjitha aktivitetet kulturore.

Sot janë anuluar edhe zgjedhjet në Komunën e Podujevës, të cilat ishin paraparë të mbahen nesër, më 15 mars.

Gjithashtu, kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, sot ka njoftuar se kanë ndaluar faljen e namazit ditor dhe xhumasë në xhami dhe marrjen e disa masave të tjera në institucione fetare dhe arsimore.