Vala e të nxehtit në Spanjë sjell temperatura rekord

Disa pjesë të Spanjës po përjetojnë majin më të nxehtë ndonjëherë me temperatura mbi 40 gradë Celsius, sipas Agjencisë Shtetërore të Motit – AEMET, raporton BBC.

Agjencia lëshoi ​​paralajmërime për motin në 10 rajone për të shtunën, duke thënë se mund të jetë “një nga valët më intensive” të të nxehtit ndër vite.

Qyteti i Jaén në Spanjën jugore regjistroi të premten temperaturën më të lartë të majit prej 40 gradë Celsius.

Ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive.

Moti i ngrohtë pranveror i Spanjës është rezultat i ajrit të nxehtë që vjen nga Afrika e Veriut, duke bërë që temperaturat të rriten deri në 15 gradë Celsius mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.

Rajonet më të goditura janë Andaluzia në jug, Extremadura në jug-lindje, Madridi dhe Castilla La Mancha në qendër dhe Aragona në veri-lindje.

Ministria e Shëndetësisë e Spanjës u bëri thirrje banorëve të pinë shumë ujë dhe të qëndrojnë në vende të freskëta kur është e mundur. Gjithashtu u këshilluan njerëzit që të reduktojnë aktivitetin fizik.

“Këtë vit duket se ka shkuar drejtpërdrejt në verë, por ne duhet të vazhdojmë”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters, pastruesi i rrugëve në Madrid, Rocio Vazquez.

Edhe turistët po e ndjenin vapën.

“Unë prisja një mot pak më të freskët”, tha Eric Solis, për Agence France-Presse gjatë një udhëtimi në Madrid nga SHBA. “Nuk është shumë i përshtatshëm për turistët”, shtoi ai.

Temperaturat gjatë natës kanë qenë gjithashtu jashtëzakonisht të larta, duke qenë mbi 25 gradë Celsius në disa zona të premten mbrëma. Në Jaén, temperatura minimale prej 25.9 C ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë në Spanjën kontinentale.

Shkencëtarët thonë se valët e të nxehtit ka të ngjarë të bëhen më të shpeshta dhe më intensive në mbarë botën, me rritjen e temperaturave globale. Ndikimi i tyre gjithashtu ka të ngjarë të jetë më i përhapur.