Ilustrim

Vala e të nxehtit në Evropë: Zjarret vdekjeprurëse përhapen në Mesdhe

Mijëra zjarrfikës po luftojnë me zjarret në Portugali, Spanjë dhe Francën jugperëndimore si shkak i valës së të nxehtit.

Në Portugalinë veriore, një pilot vdiq kur avioni i tij  u rrëzua në zonën Foz Coa, pranë kufirit spanjoll. Zjarret po shkatërrojnë zonat e rajonit Gironde të Francës, ku më shumë se 12,000 njerëz janë evakuuar, raporton BBC.

Në Spanjën jugore, pranë Costa del Sol, rreth 2,300 njerëz u detyruan të largoheshin nga zjarri i përhapur në kodrat Mijas. Pranë bregut jugperëndimor të Francës në Atlantik, një banor vendas i përshkroi zjarret në pyje si ndjesi “post-apokaliptike”.

Zjarri atje dhe një tjetër në jug të Bordosë kanë shkatërruar rreth 10,000 hektarë kurse, rreth 3,000 zjarrfikës janë duke shuar flakët.

Që nga e marta, temperaturat kanë rritur në 47 gradë celcius në Portugali dhe mbi 40 gradë celcius në Spanjë. Më shumë se 300 njerëz kanë vdekur nga të nxehtit në të dy vendet, raporton agjencia spanjolle e lajmeve Efe.

Pikat e nxehta të zjarrit të Portugalisë janë në veri-lindje të qytetit të Portos. Zjarret kanë shkatërruar 30,000 hektarë tokë këtë vit – zona më e madhe që nga vera e vitit 2017, kur Portugalia pësoi zjarre shkatërruese në të cilat vdiqën rreth 100 njerëz.

Pjesë të tjera të Mesdheut janë prekur gjithashtu. Në Itali, qeveria ka shpallur  gjendje të jashtëzakonshme në luginën e tharë të Po-s – lumi më i gjatë i vendit nuk është më shumë se një rrjedhë në disa vende.

Në Greqi po ashtu, zjarrfikësit po merren me flakët në zonën e Ferizës, rreth 50 km (31 milje) në jug-lindje të Athinës dhe pranë Rethymno, në bregun verior të Kretës. Shtatë fshatra janë evakuuar pranë Rethymnos.

Në veri të Marokut, disa fshatra duhej të evakuoheshin pasi zjarret përfshinë provincat Larache, Ouezzane, Taza dhe Tetouan. 

Franca gjithashtu ka pasur nxehtësi të madhe prej rreth 40 gradë Celsius dhe pret më shumë javën e ardhshme.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha në emetimet e karbonit.