Vala e re e COVID-19, Komuna e Gjakovës redukton stafin dhe ndalon takimet fizike me palët

Komuna e Gjakovës ka njoftuar se pa vendimit të Qeverisë për masat e reja, për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, ka ndërmarrë disa masa.

Sipas njoftimit, është bërë reduktimi i stafit të administratës, të cilët do të qëndrojnë në shtëpi dhe do të punojnë online nga shtëpia.

Gjithashtu bëhet e ditur se janë ndaluar të gjitha takimet fizike të administratës me palët e interesuara. Kërkesat e palëve duhet të adresohen në mënyrë elektronike.

“Shërbimi i tatimit në pronë dhe ofiqarisë do të jetë i hapur për qytetarë, me staf të reduktuar. Qytetarët që hyjnë brenda objektit të komunës, obligohen të jenë të pajisur me maska dhe dorëza mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Inspektoriati i Komunës bashkë me Policinë do të bëjnë kontrollë rigoroze, lidhur me përdorimin e mjeteve mbrojtëse, në të gjitha institucionet publike dhe private.