Vakuumi që mundëson shfrytëzimin ilegal të mineraleve ndërtimore

Pjesa më e madhe e operatorëve i shfrytëzojnë mineralet ndërtimore pa u pajisur me leje mjedisore. Ky konstatim është bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit që ndodh kryesisht për shkak të mos-koordinimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale.

Auditori ka shpjeguar se infrastruktura ligjore e KPMM-së mundëson dhënien e licencës dhe lejes për shfrytëzim vetëm me pëlqimin mjedisor të lëshuar nga MEA.

Por, pëlqimi mjedisor nuk do të thotë që Operatori Ekonomik pajisjet me leje mjedisore.

Auditori ka gjetur se pas dhënies së licencës, KPMM nuk i përcjellë OE-të nëse pajisen me leje mjedisore para se të fillojnë punën apo gjatë zhvillimit të aktivitetit minerar. Në anën tjetër, Auditori thotë se korniza ligjore për mbrojtjen e ambientit parasheh edhe plotësimin e kriterit për leje mjedisore para fillimit të aktivitetit minerar mirëpo, KPMM-ja konsideron se MEA është kujdestare për zbatimin e këtij kriteri pasi ajo i lëshon lejet mjedisore.

“Si rezultat nuk ka koordinim lidhur me pajisjen e OE-ve me leje mjedisore. Kjo shfaqë mangësitë në proces pasi mungesa e lejes mjedisore tregon se OE-të nuk kanë plotësuar kriteret për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja dhe degradimi dhe nuk ofrojnë siguri gjatë zhvillimit të aktivitetit minerar”, thuhet në raportin e Auditori.

Tutje konstatohet se pjesa më e madhe e bizneseve fillojnë punën para se të pajisen me leje mjedisore.

“Në këtë mënyrë kanë funksionuar shumica e OE-ve të testuar për vitet 2018 dhe 2019, me përjashtim të një rasti që kemi identifikuar se ka siguruar të gjithë dokumentacionin për fillimin e aktivitetit minerar përfshirë edhe lejen mjedisore”, thuhet në raportin e Auditorit.