FOTO: Komuna e Vushtrrisë/Facebook

Vaksinimi në Vushtrri, të moshuarit presin nëpër karrige dhe nën hijen e pemëve

Sot, në Komunën e Vushtrrisë ka rifilluar vaksinimi i personave mbi 65 vjeç.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë në këtë Komunë, Bujar Pllana, vaksinimi ka filluar sot në orën 11:00.

I njëjti dje kishte njoftuar se do të punohet me dy ndërrime deri në orën 19:30.

“Ju lutem të vendosni maskën dhe të ruani distancën fizike, gjithashtu është me rëndesi të respektoni radhën. Në QKMF do të merrni numrin për radhën e vaksinimit e që nesër fillon nga ora 11 deri ne orën 19:30, ndërsa në ditë tjera nga ora 7:30 deri 19:30”. kishte shkruar dje Pllana në Facebook.

Drejtori Pllana ka potencuar se krijimi i turmës është i panevojshëm pasi që vaksinimi do të vazhdojë deri sa të vaksinohen të gjithë personat mbi 65 vjeç.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka ndarë disa fotografi të procesit të vaksinimit në këtë komunë.

“Drejtoria e Shëndetësisë, Inspeksioni Komunal të gjithë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Në këto fotografi shihen të moshuarit të cilët janë ulur në radhë nëpër karrige, nën hijen e pemëve në QKMF-në e Komunës së Vushtrrisë.

Kontingjenti prej 38 mijë e 400 vaksinave AstraZeneca kanë arritur të mërkurën në Kosovë ndërsa sot janë shpërndarë vaksinat nëpër komunat e Kosovës dhe në disa prej tyre edhe ka filluar vaksinimi.

Në Prishtinë, në hyrje të sallës “1 Tetori” gjatë ditës së mërkurë por edhe sot janë krijuar grumbuj të personave të moshuar në pritje të vaksinimit.

Ministria e Shëndetësisë është arsyetuar se shumica prej tyre kanë ardhur prej komunave të tjera.

Pak minuta më herët ka filluar edhe vendosja e rrethojave, të cilat do të ndihmojnë në menaxhimin e atyre që vijnë për vaksinim.