Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vaksinimi i stafit shëndetësor, Zemaj falënderon Shqipërinë dhe kritikon ndërkombëtarët

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka falenderuar Shqipërinë për vaksinimin e një pjese të stafit shëndetësor të Kosovës.

“Gjithashtu, një falënderim i veçantë edhe për profesionistët shëndetësor të Shqipërisë që me etikë dhe profesinalizëm të lartë administraun dhënien e vaksinave tek kolegët e tyre kosovarë përgjatë këtyre dy ditëve, bashkë me të gjithë ata që kontribuan në realizimin e vaksinimit (Ambasadorin Hasani, FSSHK-në, etj.), që si akt, përtej çdo simbolike, tregon rëndësinë e bashkëpunimit midis dy shteteve në funksion të mbrojtjes sa më adekuate kundër COVID-19”, ka deklaruar ai.

Tutje, Zemaj tha se se kjo tregon se ndihma e Shqipërisë për Kosovën ka peshë të madhe.

“Në kohën kur institucionet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat gjatë gjithë pandemisë shteteve të Ballkanit u kanë mbajtur ligjërata për “qasjen dhe mundësitë e barabarta” dhe kur “solidariteti” i proklamuar prej tyre për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 është tretuar nga “nacionalizmi” i vaksinave, ndihma e Shqipërisë për Kosovën, ka peshë edhe më të madhe dhe tregon se edhe të vegjëlit mund të ja dalin kur punojnë së bashku dhe nuk u mungojnë vlerat”, ta ai.

Ai u shpreh i bindur se profesionistët shëndetësorë nga Kosova do ta vlerësojnë gjithmonë këtë kontribut të Qeverisë së Shqipërisë.

“Falënderimi më i mirë nga ana e tyre është kujdesi që ata kanë treguar dhe po tregojnë  gjatë gjithë këtyre muajve të pandemisë për qindra pacientë me Covid-19  nga zonat e veriut të Shqipërisë, të cilët në Spitalin e Prizrenit, Spitalin e Gjakovës, por edhe në QKUK, gjetën një trajtim sa profesional, aq edhe vëllazëror”, tha në fund Zemaj.

Gjatë ditës së djeshme në Kukës ka nisur vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve nga Kosova.

Siç ishte bërë e ditur ditë më parë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, numri i mjekëve dhe infermierëve të vaksinuar do të jetë rreth 500.

Ndërsa, Kosova ende nuk i ka pranuar vaksinat për COVID-19.

Nis vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve kosovarë në Shqipëri