Vaksinat nga Serbia brenda Kosovës, reagon zyrtari i Vetëvendosjes

Gjatë ditës së sotme, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka njoftuar se ka filluar vaksinimi i serbëve në Kosovë.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është per personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq.

Për vaksinimin e serbëve në Kosovë ka reaguar Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje duke e quajtur kërcënim për sigurinë e vendit.

“Vaksinimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë përmbrenda territorit të Kosovës përbën shkelje të sovranitetit dhe kërcnim për sigurinë e vendit”, ka shkruar Abazi.

Fillimi i vaksinimit të serbëve në Leposaviq dhe në Mitrovicën e Veriut vendosi shumë pikëpyetje se përmes cilave rrugë nga kanë ardhur këto vaksina në Kosovë dhe se a janë të informuar institucionet e Kosovës për këtë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk ka pranuar të flasë se si kanë hyrë vaksinat anti-COVID në Kosovë dhe se kush i ka lejuar ato të hyjnë brenda territorit.

“Ju lutem, adresojuni autoriteteve kompetente”, tha shkurt zëdhënësi i Policisë, Kelani.

Për fillimin e vaksinimit të serbëve në Kosovë nuk ka qenë i informuar as kabineti i Qeverisë së Avdullah Hotit.

KALLXO.com ka biseduar me Antigona Baxhakun, nga kabineti i qeverisë Hoti, por e njëjta ka thënë se nuk ka informacion për këtë.

“Nuk mund të them asgjë sepse unë nuk kam informacion”, tha Baxhaku.

Tutje KALLXO.com ka tentuar të flasë edhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, në lidhje me këtë rast por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Në anën tjetër Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, edhe pse pritet që 20% e vaksinave të merren falas nga program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e varfëra.

Ndërsa, pjesën tjetër të vaksinave do të blihen nga Ministria e Shëndetësisë.

Përdorimi i vaksinës kundër COVID-19 pritet të fillojë të përdoret në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, raporton edhe për rastet me COVID-19 nëpër komunat me shumicë serbe.

Vuçiq: Fillon vaksinimi në veri të Kosovës