Vaksina J&J në Gjermani, në dispozicion për të gjithë të rriturit

Vaksina Johnson&Johnson kundër koronavirusit do të jetë në dispozicion për të gjithë të rriturit në Gjermani, tha ministri i Shëndetësisë i këtij vendi, Jens Spahn.

Ai tha se autoritetet kanë vendosur që të mos e kufizojnë përdorimin e kësaj vaksine vetëm te të moshuarit, për shkak të rrezikut shumë të rrallë nga mpiksja e gjakut.

Muajin e kaluar, vaksina Johnson&Johnson është pezulluar për disa ditë në SHBA, pasi një numër i vogël i njerëzve – kryesisht të rinj – kanë raportuar mpiksje gjaku pas vaksinimit.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i ka ekzaminuar këto raste dhe ka dalë me konstatimin se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet.

EMA ua ka lënë vendeve anëtare të BE-së që të vendosin se si duan ta përdorin vaksinën Johnson&Johnson, e cila jepet me një dozë të vetme.

Gjermania, javën e kaluar, i ka hequr kufizimet edhe ndaj vaksinës AstraZeneca, e cila po ashtu është përcjellë me disa raporte për mpiksje gjaku.

AstraZeneca, për disa javë, u është rekomanduar vetëm personave mbi 60 vjeç.

Në Norvegji, ndërkaq, ekspertët e emëruar nga Qeveria e vendit rekomanduan që vaksinat AstraZeneca dhe Johnson&Johnson të hiqen nga programi i imunizimit./REL