Vajzat largohen nga trashëgimia - VIDEO

Ndarja e trashëgimisë në pjesë të barabarta tek burrat dhe gratë po vazhdon të përcillet me probleme në Kosovë. Edhe pse ligji e garanton një ndarje të tillë, gratë shumë shpesh nuk po arrijnë ta gëzojnë hisen që ligji jua ka garantuar.

I ndjeri Ali Dushullovci nga Prishtina, pas vetes kishte lënë 8 fëmijë, 4 djemë dhe 4 vajza. Tërë pasurinë e tij sot e trashëgojnë vetëm djemtë, apo trashëgimtarët e tyre, mirëpo edhe pse vajzat e tij apo trashëgimtaret e vajzave kanë bërë padi për të pasur hise në trashëgiminë që u takon, janë refuzuar nga dy shkallët e gjykatës. Shpresa e tyre e vetme ka mbetur Gjykata Supreme ku kanë dorëzuat revizionin rreth një prone prej mbi 60 ari e cila gjendet në “Rrugën B” në Prishtinë.

 

Gjykata Themelore e Prishtinës ishte thirrur në parashkrimin e afatit për kërkimin e trashëgimisë, të njëjtën gjë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, por këtë po e mohojnë djemtë e vajzave që po e kërkojnë trashëgiminë e të cilët kanë shpresë se Gjykata Supreme do e zbardhë këtë rrethanë.

Nga katër vajzat e Ali Dushullovcit, dy sot kanë vdekur dhe dy të tjera që janë gjallë po vazhdojnë ta kërkojnë trashëgiminë. Njëra nga vajzat nuk ka lënë trashëgimtar dhe hisen e saj po e kërkojnë trashëgimtaret e një vajze tjetër.

Trashëgimtari i Xhevrijes, Enver Sinanaj nga Peja, i cili punon e jeton në Angli po vazhdon të kërkojë hisen e nënës së tij, ai kishte ardhur në Kosovë sa herë që gjykata ka mbajtur seanca gjyqësore.

“Ne kemi probleme me trashëgiminë të cilën e ka lanë gjyshi jonë i ndjerë në Prishtinë. Gjyshi nga ana e dajëve, problemet kanë shkuar deri të Gjykata Supreme, faktikisht problemi u kthye në gjykatë për shkak të mohimeve dhe shkeljeve që janë bërë ndaj nënës dhe tezeve të mia. Nga tetë fëmijë sa ka pas gjyshi i dajëve, pasurinë e tij sot e gëzojnë vetëm katër djemtë e tij, e vajzat asnjëra hiç se ju kanë shkel të drejtat pas luftës”, tha Sinanaj.

Sedati, djali i Nexhmije Feratit nga Podujeva, hisen po e kërkon edhe për tezen e tij Hilmije Zylbehari nga Prishtina. Ai po pretendon se deri në Gjykatën e Apelit nuk është vendosur e drejta e tyre, nuk është përfillur ligji i trashëgimisë dhe ka shkuar kah e drejta zakonore- Kanuni.

“Ne problemin e kemi me dajë, nënat e kërkojnë hisen prej babës se tyre që e kanë pasur trashëgiminë aty. Ne iu kemi mbështetur ligjit, iu kemi mbështetur drejtësisë të cilën në nuk po e gjejmë. Ali Dushullovci i ka pasur afër 20 hektarë tokë, ne jemi duke e kërkuar trashëgiminë në një pronë që kemi kuptuar se kanë hy procese gjyqësore, jemi kyçur edhe ne në atë proces gjyqësor, ndërsa çështjet tjera janë ende pa u shqyrtuar”, theksoi Ferati.

Lulzim Latifi nga Prishtina, djali i Bedries pretendon se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit nuk ua kanë njohur djersën e nënës së tij, të cilën ajo e ka derdhur për atë trashëgimi.

“Problemi është së po bëhen padrejtësi dhe nuk po na e njohin të drejtën si gjykata themelore e po ashtu edhe ajo e Apelit, ne po e kërkojmë hisen trashëgiminë e nënës, kurrgjë ma shumë. Ndarja sa kam mundur me vërejt unë po ndahet me kanun, bijave nuk iu takon hisja, tash po më duket se jemi në shekullin e 21-të, pse mos me i taku ma e pakta me vet a po e do hisen, a po ma fal, a po ma shet. Nënat tona kanë derdhur djersë aty, tash e me ia mohuar shumë e padrejtë, nëna ime e ndjerë e ka kërkuar pronën, por iu ka mohuar”, theksoi Latifi.

Kallxo.com ka kontaktuar me palën e paditur, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin rreth pretendimeve të paditësve. KALLXO.com për disa herë me radhë ka tentuar të marr një deklaratë nga avokati Rexhep Kabashi, që mbron palët e paditura, mirëpo ai nuk ka pranuar të prononcohet.

“Nuk kam nevojë kurrgjë hiç me deklaruar, lënda është në Gjykatën Supreme ata e vlerësojnë”, tha Kabashi.

Gjykata Supreme nëpërmjet një përgjigje për KALLXO.com ka konfirmuar se lënda e tyre gjendet në këtë gjykatë dhe është ndarë në punë.

“Lidhur me pyetjet tuaja, iu njoftoj se në Gjykatën Supreme me datë 11 gusht 2020 është pranuar Revizioni i paditëses Xh. S., etj.., dhe është ndarë në punë me datë 13 gusht 2020. Lënda është në punë, ndaj për detaje të tjera mund të informoheni vetëm pasi të merret vendimi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Një pronë prej mbi 60 ari që gjendet në “Rrugën B” në Prishtinë, është bërë mollë sherri mes dajëve dhe nipave.

“Nëna ime e kërkon trashëgiminë e babës së vet që ka derdhur djersë në atë vend, atëherë nëse shteti nuk ndërmerr masa në këtë muhabet bëhet problemi shumë më i madh nëse gjykata nuk vendos drejtësi”, potencon Sedat Ferati.

“Këtu secili në krye të vet, unë jam gjykatës, unë bëjë çka dua, nuk mundeni me bërë çka doni. Ti faktikisht po ndanë bela, nuk e di çfarë gjykatës janë që ndajnë bela”, shton Lulzim Latifi.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.