Vajza rreth 10-vjeçare që u ther me thikë në Ferizaj në rrezik për jetë
Tre prej katër personave që u therën me thikë në Ferizaj nga një person i moshës madhore, po trajtohen në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas drejtorit të Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Sylës, një prej viktimave, e moshës rreth 10-vjeçare, është në gjendje të rëndë.
Ndërsa, sipas tij, dy të plagosurit e tjerë që janë duke u trajtuar në QKUK janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
“Janë tre, një është në gjendje të rëndë, në sallë të operacionit, prej ekipit kujdestar të Anestezionit, Kirurgjisë Torakale dhe Kirurgjisë së fëmijëve, është diku 10-vjeçare. është gjendje e rëndë, në rrezik për jetë, është duke u operuar në sallë, është në gjendje të rëndë, në rrezik, mirëpo këta dy të tjerët janë në gjendje stabile” – ka thënë Syla për KALLXO.com.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”.
Sipas tij, rasti ka ndodhur në rrethana ende të pasqaruara.
“Me datën 11.11.2024 rreth orës 15:40 jemi informuar se një person i moshës madhore në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci” në rrethana ende të pasqaruara u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore (therur me thikë) 4 persona kalimtarë të rastit, dy femra (të moshave nën 18-vjeçe) dhe dy meshkuj të moshave madhore, rreth 29-32-vjeçarë). Të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, 2 persona janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ndërsa 2 të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj” – ka thënë Veseli për KALLXO.com.
Veseli shton se rreth orës 16:40 është arritur që në rrugën ‘Riza Matoshi’ të arrestohet E.S. rreth 59-vjeçar.‘Hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë (thikë) e cila dyshohet se është përdorur në rastet e sipërpërmendura’ – ka shtuar Veseli.
Për veprimet policore është njoftuar edhe Prokuroria.