Vajza e Naim Tërnavës, kandidate për deputete nga AKR

Refiqe Tërnava, vajza e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, është njëra nga kandidatet e partisë Aleancës Kosova e Re për deputete të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook vetë Refiqe Tërnava, e cila ka treguar se kandidon si deputete nga radhët e koalicionit AKR- Nisma- PD.

“Pas diskutimit me Presidentin Pacolli, jemi dakorduar që edhe në këto zgjedhje të kandidoj për deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e koalicionit #AKR-Nisma-PD”, ka shkruar Tërnava.

Ajo ka kërkuar besimi e qytetarëve në këto zgjedhje me bindjen se ky koalicion do të jetë katalizator I ndryshimeve pozitive.

“Me bindje të plotë që ky koalicion do të jetë katalizator i ndryshimeve pozitive në vend, edhe në këto zgjedhje kërkoj besimin tuaj për t’ju përfaqësuar në Kuvend, si zë i juve të gjithëve, e veçanërisht i grave dhe vajzave të reja. Na priftë e mbara e Zoti na ndihmoftë në rrugëtimin tonë të ri”, ka shkruar Tërnava.

Refiqe Tërnava ka qenë pjesë e listës për kandidatë të AKR-së edhe në zgjedhjet e vitit 2017 kur kjo parti ishte në koalicion parazgjedhor me LDK-në por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për deputete.