Uta Ibrahimi gjatë ngjitjes në “Gasherburum 2”. Foto: Uta Ibrahimi/Facebook

Uta Ibrahimi shkel majën Shisha Pangma në Himalaje, vetëm edhe një maje drejt rekordit ballkanik

Alpinistja Uta Ibrahimi ka arritur sot, më 09.10.2024, të ngjitet me sukses në majën Shisha Pangma, një ndër majat më të vështira dhe rrezikshme të Himalajave.

Me “pushtimin” e majës Shisha Pangma, Uta Ibrahimi mbetet vetëm edhe një majë për të përmbushur qëllimin e saj të ngjitjes së të gjitha 14 majave më të larta të Himalajave.

Alpinistja Ibrahimi, ngjitjen në Shisha Pangma e bëri në kuadër të një ekspedite ndërkombëtare të organizuar nga Seven Summit Treks (SST), ku morën pjesë 29 alpinistë dhe Sherpa nga vende të ndryshme të botës.

Në një prononcim për KALLXO.com, nga Himalajet, Ura Ibrahimi ka bërë të ditur se të gjithë pjesëtarët e ekipit arritën majën e Shisha Pangma me sukses në orën 06:00 të mëngjesit (09.10.2024), me kohën lokale.

“Kjo arritje përbën një moment të rëndësishëm për 12 nga alpinistët që përfunduan sfidën e ngjitjes së 14 majave më të larta të botës, duke u bashkuar në klubin ekskluziv të 8000-metërsheve”- ka thënë ajo. Ndërsa thotë se ngjitjen në majën e 14 të Himalajave pritet ta arrijë vitin tjetër, duke u bërë kështu e vetmja në Ballkan që ka arritur këtë sukses në alpinizëm.

Maja Shisha Pangma, me lartësinë e saj prej 8,027 metrash, është e njohur për kushtet sfiduese dhe rreziqet e mëdha që paraqet për alpinistët.

Uta Ibrahimi, ka nisur në vitin 2017 një projekt për ngjitjen e 14 majave më të larta në botë. Me ngjitjen e fundit, ajo ka arritur të shkel 13 majat e maleve më të larta në botë- Himalajave.