Uta Ibrahimi gjatë ngjitjes në “Gasherburum 2”. Foto: Uta Ibrahimi/Facebook

Uta Ibrahimi është ngjitur në majën e 13-të më të lartë të tokë, “Gasherburum 2”

Alpinistja kosovare Uta (Flutura) Ibrahimi ka bërë të ditur se ka arritur të shkelë në majën e 13-të më të lartë në tokë, “Gasherburum 2” që ndodhet në lartësinë 8035 metra mbi nivelin e detit në Pakistan.

Ibrahimi ka bërë të ditur për KALLXO.com se më 21.07.2024 rreth orës 09:30-10:00 ka arritur të ngjitet në majën “Gasherburum 2’,  8035 metra lartësi.

“Më datë 21 korrik, rreth orës 09:30-10:00 arrita me e ngjit majën ‘Gasherburum’ 2 8035 m, maja e 13-të më e larta në Tokë, kështu duke përmbyll ngjitjen e 5 majeve, 8000 metra në Pakistan, dhe duke e afru projektin e 14 majave të Himalayave në 12 (majat të ngjitura).  12/12 mundem me thënë që kjo ngjitje ka qenë ekspress për faktin që prej arritjes në kamp bazë, ngjitjes dhe kthimit, i kam bërë total 12 ditë. Perveç asaj që gjatë ditës së ‘summit push’, jemi nis nga Kampi 2, 6400 metra me pauzë në Kampin 3, dhe direkt drejt majës”- ka thënë ajo më 29.07.2024.

Ajo ka bërë të ditur se ngjitja në majë “Gasherburum 2” dhe kthimi në Kamp 2, ka zgjatur në total rreth 30 orë, duke përfshirë pritjet e shumta për shkak të hapjes së shtegut, etj.

“Unë dhe Sherpa kemi arritë në maje të parët pas ekipit të skiatorëve amerikanë, dhe shtegu pothuajse ka qenë 10% i fiksuar. Në shumicën e rasteve i kemi përdorë litarët e vjetër (e që është gabim) apo edhe kemi qenë të lidhur në ‘short-rope’ shumicën e kohës”- ka potencuar Uta Ibrahimi.

Uta Ibrahimi ka thënë se edhe pse ka tentuar që ngjitjen në majën “Gasherburum 2” me bë pa përdorim te bonbolave të oksigjenit, në largësinë 7 700 dhe në mëngjesin e ftoftë, për me i eleminu ndonjë ngrirje eventuale, janë detyruar të përdorimi oksigjeni.

Ngjitja e Utas në malin Gasherburum 2” është bërë në kuadër të synimeve (projektit) të saj për ‘pushimin e 14 majave më të larta në botë që gjenden në Vargmalin e Himalayave (Himalajeve).

Në viti 2017, Uta Ibrahimi arriti të ngjitet në malin më të lartë në botë, Mount Everest. Për ta përmbyllu gjithë projektin për ngjitjen në 14 majat më të larta në botë Utës i kanë mbetur vetëm edhe dy maja të maleve.

Deri më tani, Uta Ibrahimi mbetet vajza e vetme në Rajonin e Ballkanit që ka arritur të ngjitet në 12 prej 14 majave më të larta në tokë.

Uta Ibrahimi gjatë ngjitjes në “Gasherburum 2”. Foto: Uta Ibrahimi.
“Gasherburum 2”. Foto: Uta Ibrahimi.
Uta Ibrahimi gjatë ngjitjes në “Gasherburum 2”. Foto: Uta Ibrahimi.