Ministri Kujtim Gashi takoi Alpinisten Uta Ibrahimi
Uta Ibrahimi e merr flamurin e Kosovës ta ngjesë në Himalaje
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot është takuar me alpinisten Uta Ibrahimi të cilës edhe i dhuroi flamurin e Republikës së Kosovës për ta vendosur në majat e Everestit gjatë këtij sezoni.
Përveç flamurit, ministri Gashi i ofroi edhe mbështetje financiare në vlerë prej 8 mijë eurosh për ekspeditën e radhës e cila do të fillojë në fund të muajit prill të këtij viti.
“Bëhet fjalë për ekspeditën në Himalaje në Nepal, në ngjitjen e radhës në majën Lhotse Jug 8516m (Lhotse South) e cila do të përcillet nga ekipi i National Geographic, ku do të bëhet edhe dokumentar për këtë ngjitje. Uta është pjesë e ekipit të ngjitëseve nga e gjithë bota, Koreja, Kina, Spanja, Kolumbia, Nepali dhe Kosova.”, thuhet në njoftim.
Alpinistja Uta Ibrahimi u shpreh e kënaqur me mbështetjen financiare dhe falënderoi ministrin për mbështetjen e vazhdueshme që po iu jep sportistëve.
Ministri Gashi më tej deklaroi se në vazhdimësi janë duke mbështetur sportistët të cilët kanë nevojë që të përkrahen për zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive.